Rritja e eksporteve të qepës me vendet e rajonit ka bërë që çmimi i këtij prodhimi të rritet ndjeshëm në tregun vendas duke bërë që fermerët të jenë të kënaqur, por të rëndohen konsumatorët.Rritja e cmimit të qepës është konstatuar në gjithë vendin, madje dhe në Korcë ku ajo kultivohet përfshi dhe Tiranën ku çmimi ka shkuar 180 lekë/kg.Në Korçë 1 kg qepë po shitet me 150 leke me pakice, një çmim i pazakontë për këtë produkt i cili prodhohet masivisht në qarkun juglindor.Shkak për rritjen e çmimit është bërë mungesa në treg pasi qepa është shitur në masë për eksport në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë duke bërë që fermerët të kenë më shumë përfitime.Në Maliq sipas të dhënave sipërfaqja e kultivuar me qepë është rreth 800 ha dhe duket se këtë vit shitja i ka lënë të kënaqur fermerët që për vite me radhë e kanë hedhur qepën për shkak të mungesës së tregut.Sipas të dhënave zyrtare sipërfaqja e kultivuar me qepë gjatë vitit 2022 në qarkun e Korçës ishte 1994 ha duke pësuar rritje në krahasim me vitin 2021 por këtë vit kërkesa ishte e lartë në treg duke sjellë edhe rritje të çmimit.