Pas shqetësimit të blegtorëve mbi përgjysmimin e subvencioneve ka reaguar ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca deklaroi sot se, “të gjithë blegtorët aplikantë do të përfshihen në mbështetjen e Skemës Kombëtare 2023”.
“Këtë vit kemi bërë një ndryshim. Kemi futur në mbështetje të gjithë blegtorët aplikantë në Skemën Kombëtare. Atë buxhet që kemi vënë në dispozicion për masën e blegtorisë, pavarësisht se sa do të ishte numri i aplikantëve, do të jenë përfitues të gjithë. Ne do t’i shkojmë listës deri në fund edhe nëse do të ulet masa e financimit për ndonjë nga fermerët, nuk do të ketë kufizim, disa poshtë apo jashtë listës, por përfitojnë të gjithë“.
Deklarata e saj u bë gjatë vizitës që zhvilloi në fshatin Shtërmen, Cërrik, në fermën blegtorale të një fermeri të quajtur Endrit, që ka ngritur një fermë me cikël të mbyllur.
Endriti mbarështron 1 mijë krerë të imta dele, ndërkohë që ka krijuar një fermë me cikël të mbyllur, duke bërë bashkë 150 fermerë të zonës, me rreth 70 ha toke, ku ai prodhon ushqimi për blegtorinë.
Endriti tregon se e nisi këtë aktivitet në vitet ’91, me rreth 90 krerë dele, ndërsa sot e ka shtuar tufën në 1 mijë krerë, falë sipas tij edhe mbështetjeve që ka marrë nga subvencionet.