BIRN
Adrian Hysi e kujton me nostalgji kohën kur banorët e Beratit bënin plazh në brigjet e Osumit gjatë verës.
“Ujërat e tij të pastra kanë shërbyer jo vetëm si ekuilibër natyror për klimën, por edhe si një mjedis shplodhës për qytetarët, të cilët i kanë shfrytëzuar për të kaluar familjarisht ditët e nxehta të verës”, tha Hysi për BIRN.
Plazhi këtë vit ka munguar pasi prurjet e lumit kanë qënë të pakta dhe në sipërfaqe duket vetëm një rrjedhë e ngushtë, e cila vende – vende ka ngjyrë të gjelbër, për shkak të derdhjes së ujërave të zeza.
Bashkia e Beratit e pranon se problemi i derdhjes së ujrave të zeza në lum është një nga sfidat më të mëdha mjedisore me të cilat përballet qytetit muze, e cila nuk ka gjetur ende zgjidhje.
Megjithatë, shprehet se ka një projekt dhe ka aplikuar për financiam në Bankën Gjermane për Zhvillim (KFW) për zgjidhjen e problematikës së kanalizimeve, Sipas bashkisë ky projekt pritet të vihet në zbatim vitin e ardhshëm.
Aktivistët mjedisorë e mirëpresin ndërhyrjen për pastrimin e lumit, por tërheqin vëmendjen se projekti duhet ta ruajë atë si një lum të egër me florë dhe faunë të pasur.
“Disa studime botanike dhe disa studime mjedisore janë realizuar për pasuritë dhe biodiversitetin e lartë në disa segmente të tij,” tha Ermelinda Mahmutaj nga qendra mjedisore “Eden”.
“Unë do të nxisja që më shumë punë të bëhej në këtë drejtim për të nxjerrë në pah të gjithë vlerën dhe biodiversitetin e tij të lartë”, shtoi ajo.
Planet për pastrimin e lumit
Lumi Osum është dega kryesore e lumit të Semanit dhe është njohur më parë dhe si lumi i Beratit, pasi rrjedh përgjatë qytetit duke përshkruar lagjet Mangalem dhe Goricë. Por ndotja e lumit është kthyer në shqetësim për banorët e qytetit.
“Kur shikojnë se uji është i pakët në lum dhe jo i pastër, turistët qëndrojnë në breg, bëjnë foto dhe largohen’, tregoi një peshkatar që po peshkonte me grep pranë lagjes Goricë.
Veç ujërave të zeza lumi Osum ka vuajtur ndotje për shkak të derdhjes së mbetjeve urbane dhe të mbetjeve industriale të fabrikave që operojnë përgjatë shtrirjes të tij.
Agjensia Rajonale e Mjedisit për rajonin Berat, Elbasan, Korçë e ka konstatuar rastin e fundit të ndotjes në prill të këtij viti.
“Më datë 27.04.2023 në rrugën “Telegrafi” pranë tregut që zhvillohet ditën e shtunë, janë konstatuar midis mbetjeve të ndryshme të përziera inerte dhe mbetje të tipit “iternite”, të cilat konsiderohen si mbetje të rrezishme”, tha ARM.
Agjensia i është drejtuar me kërkesë Bashkisë për marrjen e masave për largimin e mbetjeve. Agjencia shprehet se kontrolet që bën janë të kufizuara, për shkak të sipërfaqes së madhe që monitoron dhe numrit të kufizuar të inspektorëve.
Bashkia e Beratit i bashkohet shqetësimit të banorëve për ndotjen e lumit dhe shprehet se që prej vitit 2020 është në negocim me Bankën Gjermane për Zhvillim (KFW) për zgjidhjen e problematikës së kanalizimeve dhe të ujit të pijshëm.
“Është marrë miratimi i grantit për këtë projekt, i cili është 12.5 milionë euro dhe ne presim që KFW brenda vitit 2023 të fillojë procedurat e veta të brendshme për fazën e prokurimit dhe të fillojmë implementimin në vitin 2024”, tha ajo.
Sipas projektit të hartuar nga bashkia ujërat e zeza do të përpunohen për të reduktuar ndikimin e tyre në mjedis. Sipas bashkisë edhe ndërhyrjet estetike në infrastrukturën e brigjeve të Osumit kanë një ndikim pozitiv.
“Ndërhyrjet që janë bërë në lagjen “Goricë” e kanë përmirësuar panoramën estetike të shtratit të lumit Osum, por jo vetëm, e kanë bërë lagjen edhe me të sigurtë nga përmbytjet”, tha Bashkia e Beratit.
Ruajta e lumit në gjendje të egër
Për Osumin bashkia e Beratit ka plane më të gjëra se thjeshtë filtrimin e ujërave të zeza. Ambicia e saj është ta përdorë lumin si një vlerë e shtuar turistike për qytetin dhe institucioni thotë se po mendon për projekte të tjera për përdorimin e tij si plazh, siç dhe ka shërbyer dikur.
“Ne po mendojmë për fazat e tjera, për trajtimin e gjithë shtratit të lumit, për t’a kthyer atë në një pasqyrë ujore sidomos në qendrën e qytetit dhe në të njëjtën kohë krijimin e hapësirave publike ku njerëzit ta përdorin lumin,” tha ajo.
“Ne shpresojme të kemi në vende të caktuara plazhe, që në momentin e trajtimit të këtij shtrati – kur të plotesohen të gjitha kushtet e pastërtisë, të përdoret gjatë verës nga banorët dhe turistët”, shtoi bashkia e Beratit.
Ndërsa aktivistët mjedisore mbështesim pastrimin e lumit nga ujërat e zeza, ato janë kundër çdo projekti që do të cënonte gjendjen e tij të egër.
“Në asnjë mënyrë nuk duhet menduar të luhet me shtratin e lumit, me modernizma apo ndryshime të rrjedhës së tij, sepse kjo do të sjellë pasoja shumë të rënda jo vetëm tek qytetarët, por dhe katastrofa natyrore siç janë përmbytjet apo tharjet”, tha Mahmutaj.
Sipas saj duhet të identifikohen zonat të cilat mund të përdoren për plazh në lum dhe kjo të realizohet pa ndërhyrje në shtratin e tij, çfarë sipas saj do të sillte pasoja negative për lumin dhe qytetarët e Beratit.
“Do të ishte shkatërrimi i të gjitha vlerave të bidiversitetit të lumit, por edhe një shkatërrim i potencialit të lartë të zonës”, paralajmëroi Mahmutaj.
Për eksperten mjedisor vlerat e larta të biodiversitetit që strehon lumi Osum janë pashaporta e tij për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm nëpër të gjithë zonën dhe kjo na ngarkon me përgjegjësi më shumë për ruajtje dhe mirëmenaxhim e tij.
“Jetojmë në një epokë që shumë e kanë quajtur epoka e vlimit, kur sidomos me burimet ujore nuk duhet të luajmë, duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të zgjuar për ti ruajtur ato”, u shpreh ajo.
Për ruajtje të lumit dhe zhvillim të qëndrueshëm me qëllim promovim të turizmit në zonë flet dhe Blerina Ago, eksperte turizmit nga organizata ‘Active Albania‘.
“Është thelbësore të ruhet bukuria natyrore dhe ekuilibri ekologjik i lumit Osum dhe rrethinave të tij për të siguruar zhvillim afatgjatë në shërbim të banorëve dhe për turistët,” tha Ago.
Sipas saj lumi ofron mundësinë për një sërë aktivitetesh në natyrë për vizitorët që të shijojnë bukurinë e tij natyrore dhe mjedisin piktoresk.
Ago thekosn se me planifikim të kujdesshëm, bashkëpunim dhe përkushtim ndaj qëndrueshmërisë, lumi Osum në Berat ka potencialin të bëhet një destinacion i lulëzuar si për kërkuesit e aventurave, ashtu edhe për ata që kërkojnë një “arratisje” paqësore në natyrë.