![](https://bionews.al/wp-content/uploads/2023/05/krimbi-mendafshit.jpg)
BIRN/ Kultivimi i krimbit të mëndafshit është një traditë e hershme në Shqipëri, e cila po shkon drejt zhdukjes. Por një familje në fshatin Dajç të Zadrimës po e mban gjallë traditën përmes një ferme të vogël që kultivon krimbat që prodhojnë mëndafshin.Mimoza Pjetraj bashkë me familjen e saj i përkushtohen kultivimit të krimbit të mëndafshit prej 13 vitesh, pas shkëputjes gjatë periudhës së komunizmit si dhe shkatërrimit të fabrikës së përpunimit të mëndafshit në Shkodër.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2023/05/FOTO_01-600x400.jpg)
Foto: Nensi Bogdani/BIRN.
Mimoza thotë se para komunizmit, çdo familje në Zadrimë kultivonte krimbin e mëndafshit për përdorime vetjake, ndërsa sot ajo dhe familjarët e saj kanë mbetur të vetmit pothuajse në të tërë zonën.“Është proces tepër i mundimshëm dhe kërkon tepër punë dhe përkushtim, prandaj dhe kemi mbetur të vetmit që e bëjmë. Janë më shumë se 10 veta që ndihmojnë në mbarëvajtjen e tërë ciklit të jetës së krimbit, deri tek prodhimi dhe përpunimi i mëndafshit,” tha artizania e Zadrimës për BIRN.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2023/05/FOTO_02-Mimoza-Pjetraj-ne-fermen-e-saj-duke-u-kujdesur-per-ushqimin-me-gjethe-mani-te-krimbave.-Mimoza-dhe-familja-e-saj-kane-mbetur-te-vetmit-qe-kultivojne-krimbat-e-mendafshit.-Foto_Nensi-Bogdani-600x400.jpg)
Cikli i jetës së krimbit të mëndafshit zgjat rreth pesë javë, derisa ai kthehet në “fshikëz”, siç quhet topthi i mëndafshit që më pas prodhon fijet e holla të tij. Ky krimb nuk jeton dot në gjendje të egër dhe kultivimi i tij është i mundur vetëm në kushte të kontrolluara.“Kultivojmë rreth 10 kilogramë fshikëz gjatë një cikli të plotë në vit,” tregon Mimoza për BIRN, teksa mban në dorë topthat e vegjël të fshikëzave në formë ovale, që në pamje të parë përngjajnë me topat e pambukut.“Është tre muaj punë që prej mbjelljes së farës, deri tek punimi përfundimtar i fijes së mëndafshit,” shtoi ajo.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2023/05/FO382F1-600x400.jpg)
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2023/05/FOTO_04-Ferma-e-kultivimit-te-krimbave-te-mendafshit-e-familjes-Pjetraj-ne-Dajc-te-Zadrimes.-Foto_Nensi-Bogdani-600x400.jpg)
Foto:Nensi Bogdani/BIRN.
Zanafilla e procesit nis prej një fare që kapet me gishtat e dorës, dhe përfundon në një dhomë ku rafte të tëra me katër deri në pesë kate mbushen me gjethe mani. “Krimbat e mëndafshit ushqehen me to,” tregon Mimoza, e cila i tha BIRN se farën e këtij krimbi e ruan akoma vetëm një zonjë në Tiranë.
Mimoza vëren se për mbarëvajtjen e ciklit duhen ruajtur me shumë kujdes kushtet si lagështira e ajrit, temperatura e dhomës, si edhe freskia e gjetheve të manit me të cilat ushqehen krimbat.
“Nëse krimbi ha gjethe të lagura, ai ngordh. Këto muaj kemi patur shira dhe na është dashur ta thajmë çdo gjethe pasi e mbledhim dhe përpara se t’ua vendosim krimbave të ushqehen,” shtoi ajo.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2023/05/FOTO_05-Krimbat-e-mendafshit-ne-fazen-e-pare-te-krijimit-te-fshikezes-se-mendafshit.-Cikli-i-jetes-se-krimbave-te-mendafshit-zgjat-pese-jave.-Foto_Nensi-Bogdani-590x400.jpg)
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2023/05/FOTO_06-Krimbat-e-mendafshit-nuk-jetojne-dot-ne-kushte-te-egra.-Ata-kultivohen-vetem-ne-kushte-te-kontrolluara-dhe-jane-teper-delikate.-Foto_Nensi-Bogdani-600x400.jpg)
Mimoza Pjetraj thotë se sa më shumë të kujdesen për kushtet e kultivimit, aq më shumë shkurtohet cikli i jetës dhe aq më shumë rezultate marrin. “Nëse kujdesi nuk është maksimal, atëherë cikli dhe prodhimi nuk janë të kënaqshëm”, thekson ajo.
Pas mbledhjet së fshikëzave fillon procesi i nxjerrjes së fijeve, ku nevojitet që fshikëzat të futen në ujë të zier për t’u shformuar në fijet e mëndafshta.
“Një fshikëz arrin të prodhojë deri në një kilometër fije mëndafshi,” thotë më tej artizania nga Zadrima.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2023/05/FOTO_07-Fshikezat-e-mendafshit-dhe-fluturat.-Gjate-nje-cikli-kultivimi-arrihet-te-prodhohet-deri-ne-10-kg-fshikez-mendafshi-ne-total.-Foto_Nensi-Bogdani-600x400.jpg)
Mimoza dhe fëmijët e saj kanë gjithashtu si biznes familjar një punishte të vogël të punimeve artizanale me tezgjah, të quajtur “Colors of Zadrima”, fare pak metra larg fermës ku kultivojnë krimbin e mëndafshit. Ata e përdorin mëndafshin në punimet e tyre, duke prodhuar aksesorë të ndyshëm për veshjet tradicionale zadrimore.
Punimet e mëndafshit janë të kushtueshme, por kjo nuk i ndalon adhuruesit e këtij materiali për t’i blerë produktet e Mimozës.
“Një shall i punuar me mëndafsh kushton nga 250 deri në 500 mijë lekë të vjetra”, tregojnë artizanet e “Colors of Zadrima”, duke theksuar se i njëjti punim në kohën e komunizmit kushtonte pothuajse sa paga e një muaji.
Aktualisht, Mimoza dhe familja e saj presin të kujdesen edhe për një cikël të fundit të krimbit të mëndafshit, që pritet të përfundojë në fund të qershorit.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2023/05/FOTO_08-Fijet-e-mendafshit-te-marra-nga-fshikezat-perdoren-nga-Mimoza-dhe-familja-e-saj-per-punimet-artizanale-ne-tezgjah-prane-punishtes-se-tyre.-Foto_Nensi-Bogdani-600x400.jpg)
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2023/05/FOTO_09-Mimoza-Pjetraj-duke-u-kujdesur-per-ushqimin-dhe-kushtet-e-kultivimit-te-krimbit-te-mendafshit-ne-fermen-e-kultivimit.-Foto_Nensi-Bogdani-600x400.jpg)