Shifrat më të fundit nga Instituti i Statistikave mbi inflacionin tregojnë se, gjatë mujait të tretë të vitit, inflacioni ka vijuar me një rënie të mëtejshme. Gjatë marsit, çmimet në vendin tonë janë rritur me 5.3%. Një vit më parë ky ndryshim ishte 5.7 %. Kjo është norma më e ulët që prej shkurtit të vitit 2022. Krahasuar me shkurtin, vihet re një zbutje e ndjeshme e hapit të rritjes së çmimeve, pasi në muajin e dytë të vitit norma e inflacionit në vend fiksohej pranë 7.1% sipas metodës kombëtare dhe 6.8% sipas asaj të Eurostat. Pikërisht për arsyen sepse gjatë marsit të vitit të kaluar kishte filluar të ndihej rritja e çmimeve, pritej një rënie më e theksuar e normës në marsin e këtij viti. Krahasuar me muajin shkurt të këtij viti ndërkohë, çmimet në mars rezultojnë 0.7% më pak të shtrenjta.
Në normën e inflacionit prej 5.3% gjatë marsit ndikimin më të madh e kanë dhënë grupet: “Ushqime dhe pije joalkoolike”, me 3.94 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, me 0.48 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0.47 pikë përqindje, “Hotele, kafene dhe restorante” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme”, përkatësisht me 0.21 pikë dhe 0.18 pikë, dhe rreth 0.62 pikë përqindje grupet e tjera. Bie në sy që krahasuar më marsin e kaluar, grupi “Transport”, ka regjistruar një impakt negativ në rritjen e çmimeve, konkretisht me -0.49 pikë përqindje.
Sa i përket ndryshimit të çmimeve sipas grupeve kryesore, vëmë re se, rritjen më të madhe e regjistrojnë “Ushqimet dhe pijet joalkoolike”, me 11%, ndjekur nga “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë”, me 6.6%, “Argëtim dhe kulturë” me 4.7%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4.6%, “Veshje dhe këpucë” me 3.7%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3.2%, “Pije alkolike dhe duhan” me 2.8%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2.6%, “Shërbimi arsimor” me 2%, “Komunikimi” me 1.4%, “Shëndeti” me 1.1% dhe “Transporti” me një ndikim negative prej 7.5%.
Nga shifrat bie në sy se, ashtu si norma e përgjithshme e inflacionit ka rënë, edhe inflacioni i ushqimeve ka zbritur në 11%, që është një nivel edhe më i ulët se shkurti. Çmimet e nëngrupit “Qumësht, djath dhe vezë” rezultojnë 20.6% më të larta se marsi i vitit të kaluar. Ndiqen nga nëngrupi “Peshk” me 15.9%, “Zarzavatet” me 13.6%, “Ushqime të tjera” me 12.3%.
Marre nga SCAN.TV