Për të katërtin vit radhazi, Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural nisi sot fushatën për mbrojtjen e gështenjës nga grerëza e zezë, në zonën e Reçit, në Malësinë e Madhe.Në nisjen e këtij procesi, ishte e pranishme dhe ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural Frifa Krifca .Në takimin me specialistë e fushës dhe familje që kultivojnë gështenjën, ministrja e Krifca përshëndeti punën e tyre ndër vite për ruajtjen e dhe kultivimin e gëshnjenjës si një pasuri e trashëgimisë tonë natyrore, teksa shprehu angazhimin e Ministrisë për mbrojtjen biologjike , me qëllim ruajtjen e cilësisë së gështenjës.“Ne prodhojmë diku 5-6 mijë tonë gështenja në vit dhe janë rreth 2500 hektarë të shpërndara në të gjithë Shqipërinë. Në zonën e Malësisë së Madhe , në Reç, Gruemirë, në Shalë të Shkodrës, në masivin e madh të Tropojës, ne duam që ato familje bujqësore, të cilat jetojnë përmes gështenjës, të kenë mundësinë të jetojnë me dinjitet. Ndërkohë, duam të forcojmë sektorin e gështenjës, sepse është një produkt i rëndësishëm edhe për eksportet bujqësore që ne kemi, pasi 25 % e prodhimit të gështenjës në rang vendi shkon drejtë vendeve të Europës si eksport bujqësor”, tha ministrja. “Kjo metodë e certifikuar nga BE siguron ruajtjen dhe mirëmbajtjen pa pasur nevojën e përdorimit të kimikateve duke garantuar cilësinë e këtij produkti shumë të kërkuar në tregun vendas dhe ndërkombëtar”, tha Krifca. Mirëmbajtja dhe ruajtja e gështenjës u bë e mundur përmes një insekti të krijuar në kushte laboratorike në laboratorë të certifikuar europianë, i cili përjashton përdorimin e pesticideve ose formave të tjera që kanë efekte jo shumë të ndjeshme. Kjo është një nga mënyrat më efikase për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e gështenjës, që aplikon sot çdo vend i Bashkimit Europian. Në zonën e Reçit ka kultura të gështenjës 300-vjeçare të trashëguara brez pas brezi nga familjet që merren me kultivimin e gështenjës. Kryetari i bashkisë së Malësisë së Madhe Tonin Marinaj, e vlerësoi rolin e Ministrisë së Bujqësisë dhe qeverisë në këtë proces që kërkon jo vetëm mbështetje financiare, por dhe burime të shtuara njerëzore siç janë specialistët e fushës të cilët do të merren direkt me hedhjen në plantacionet e gështenjës, të insektit që lufton grerëzën. Sipas studimeve shkencore, grerëza e gështenjës konsiderohet si një ndër insektet më dëmprurës në plantacionet e gështenjave. Të dhënat e EPPO (Organizata Europiane për Mbrojtjen e Bimëve), tregojnë se grerëza e gështenjës prek gati të gjitha speciet e gështenjës që nga Kina, Japonia, Amerika dhe Europa. Kjo grerëz konsiderohet dëmtuesi numër një në plantacionet e gështenjave. Mbrojtja e gështenjës nga grerëza galëformuese është direktivë e Komitetit Europian që detyron çdo vend të marrë masat mbrojtëse kundër grerëzës së gështenjës.Gështenjat e vendit tonë dhe mjalti që prodhohet prej tyre njihen për vlerat e rralla kurative dhe kërkesat e larta për treg brenda e jashtë vendit, duke e kthyer gështenjën në një ekonomi shtesë për të ardhurat e familjeve që merren me këtë aktivitet në zonat më veriore të vendit. Eksportet e gështenjave “Made in Albania” rriten çdo vit duke gjeneruar miliona euro të ardhura në ekonominë e vendit. Pjesa më e madhe e prodhimit eksportohet në Itali, ku dhe përpunohet.