Bëhet fjalë për një zbulim shumë të rëndësishëm , punimet për të cilin kanë nisur prej vitit 2018.
Datojnë rreth 3500 vjet më parë që tregojnë edhe praninë e fiseve ilire në këtë zonë.
Kreu i DRKK Vlorë, Orges Feimi konfirmon se bëhet fjalë për një studim shumë të rëndësishëm.
Puna për gërmimin arkeologjik të shpëtimit të varrezës tumulare në Himarë, ka nisur që në vitin 2018 nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë dhe Drejtoria e Shërbimit Arkeologjik pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.
Në fushatën e gërmimeve arkeologjikë që u zhvillua përgjatë gjithë muajit Tetor të këtij viti, u zbulua dhe dokumentua tuma e tretë.
Ajo paraqet elemente unikale të arkitekturës së ndërtimit të kodërvarreve, në raport me kodërvarret e tjera të njohura dhe studiuara deri më tani në vendin tonë.
Krahas varreve që përmbante kjo tumë u gjetën edhe disa objekte arkeologjike, ku ndër objektet më të ruajtura veçohet një enë balte dhe një majë heshte e përjudhës së Hekurit të Hershëm (Shek. XI-X p.Kr).
Tumat prehistorike të Himarës konsiderohen si monumentet më befasuese të periudhës së Bronzit dhe Hekurit në Bregdetin Jonian.
Kultura e dokumentuar në varret e tumave të Himarës është e njëjtë me atë të pjesës tjetër të Ilirisë.
Tuma ndodhet në shtratin e përroit të Korramit, për këtë arsye specialistët e D.R.T.K-Vlorë dhe D.SH.A tashmë po punojnë për konservimin dhe rimbulimin e strukturave dhe varreve të tumës, me qëllim shmangien e dëmtimeve të mundshme nga prurjet e përroit përgjatë muajve të dimrit.
Feimi konfirmon edhe faktin se zona do të vijojë të jetë pjesë e studimit edhe në vijim për praninë edhe të tjera zbulime arkeologjike.