Është dita e tretë që varkat në digën e Komanit mbeten pa lëvizur. Kjo pas aksionit të policisë të cilët kanë bërë bllokimin e rreth 38 varkave që kanë shërbyer për transportimet private të banorëve të zonës, si edhe për transportimin e turistëve në drejtim të lumit të Shalës.Por, siç shihet edhe nga pamjet e dërguara nga banorët e zonës, turistët presin në kalatën e hidrocentralit të Komanit për të vizituar bukuritë natyrore të zonës.Nga ana tjetër shihen edhe ushqimet të cilat kanë mbetur aty pasi varkat nuk lëvizin. Gjatë kësaj të premte mësohet se janë bllokuar edhe varkat e banorëve të cilat janë shfrytëzuar për transport personal.Pavarësisht takimit të operatorëve turistike të kësaj zone me kryetarin e Bashkisë Vau i Dejës në lidhje me këtë problematikë, ende nuk ka një zgjidhje.Teksa është mesi i sezonit turistik, edhe banorët e zonave e kanë të pamundur të lëvizin qoftë edhe për urgjencë mjekësore, pasi e vetmja mundësi është përmes varkave. Të vetmet mjete lundruese që lëvizin janë dy tragetet që udhëtojnë në linjën Koman-Fierzë dhe anasjelltas.Ndërkohë mësohet së një ditë më parë, qindra turistë janë kthyer pas, pa pasur mundësi të udhëtojnë drejt lumit të Shalës.