Ministrja Mirela Kumbaro ka deklaruar se tulipani shqiptar është shpallur monument natyre. Pas mbledhjes së qeverisë, së zhvilluar ditën e sotme, Kumbaro tha se tulipani shqiptar është një specie që rritet vetëm në Shqipëri. Ajo shtoi se ‘monument natyre’ është shkalla më e lartë e mbrojtjes, kategoria e parë.
Pjesë nga deklarata e Kumbaros:
Në radhë të parë një specie e veçantë, ajo që quhet tulipani shqiptar, i zbuluar në vitin 2003, shpallet sot në një zonë ku rritet në Kukës, monument natyre që është shkalla më e lartë e mbrojtjes, kategoria e parë. Bëhet fjalë për 30 mijë hektarë apo diçka më shumë. Kjo specie është në listën e kuqe, ku bëjnë pjesë speciet e rrezikuara. Quhet tulipani shqiptar sepse rritet vetëm në Shqipëri.