Vetëm pak ditë më parë ministrja e turizmit Mirela Kumbaro, pas mbledhjes me Këshillin e Ministrave bëri me dije se e gjithë zona e Kukësit, ku rriten tulipanët do të shpallet monument natyror. Sipas ministres ky vendim është marrë pasi tulipani shqiptar është një specie në rrezik ndaj duhet mbrojtur.
“Në radhë të parë një specie e veçantë që bën pjesë në speciet e rrezikuara, tulipani shqiptar, i zbuluar si i tillë në vitin 2003. Shpallet në një lëndinë të caktuar ku rritet në bashkinë e Kukësit, monument natyre, që është shkalla më e lartë e mbrojtjes, rreth 35 ha në njësinë administrative të Surrojit në Kukës.
Një zonë që merr këtë tipologji mbrojtje. Kjo specie është në listën e kuqe ndërkombëtare që janë speciet më të rrezikuara, rritet vetëm në atë zonë të Shqipërisë”, tha Kumbaro.
Zona kryesore ku rritet tulipani është në Kukës. Tulipani i Kukësit është zbuluar nga biologu i ndier Besnik Hallaçi në vitin 2003 në zonën e Kolsh-Surroit, në vendin e quajtur Polla e Zezë.
Deri atëherë njiheshin rreth 113 lloje tulipanësh, ndërsa tulipani shqiptar me emrin shkencor “Tulipa Albanica” renditet i 114-ti falë këmbënguljes, krahasimit e zbulimit që bëri biologu I madh kuksianë Besnik Hallaçi, që sëmundja e Covid-19 e ndau para kohe nga jeta.
Zonat në të cilën rritet kjo specie e rrallë është e pasur edhe me minerale si hekur-nikel e kromë. Shumë firma kanë shprehur interes që këto ngastra pyjore të kalojnë për shfrytëzim minerarë, çka sjellë edhe shkatërrimin e habitatit natyrorë të kësaj bime të rrallë. Vendimi i qeverisë për ta shpallur zonë të mbrojtur natyrore këtë mjedis është mjaftë I domosdoshëm. Në qarkun e Kukësit këto bimë endemike të rralla gjenden në malet e Gjalicës, në malet e Hekurave në Tropojë, në bregun e liqenit të Fierzës deri në Pashtrik të Hasit si dhe në Qafën e Luzhës në rrethin e Tropojës. Kujtojmë se në janar të vitit 2021, tulipani shqiptar, një ekzemplar i rrallë i bimëve endemike dhe i certifikuar ndërkombëtarisht, mori statusin e mbrojtjes së veçantë. Ndërsa gazetari Ermal Hallaci I kërkoi publikisht Këshillit Bashkiak në Kukës të marrë vendimin për ndërtimin e një skulpture arti të Tulipanit Shqiptar në sheshin para Bashkie!
Ja dedikimi që i bën ai biologut të ndjerë Besnik Hallaci
“Po t’mos ishe ti nuk do të ishte as Tulipani ! Ja arrite shpejt per ta mbrojtur këtë bimë të veçantë ! Sot stema e “Këshillit të Qarkut Kukës “mban Tulipanin Shqiptar.”