Të drekosh në restorant në Tiranë tashmë të kushton shumë më shtrenjtë se vjet. Çmimet e larta në restorante po rëndojnë jo vetëm xhepat e konsumatorëve, por edhe emocionet e tyre.
Përfaqësues të Shoqatës së bareve dhe Restoranteve thanë për Monitor se çmimet në restorante janë rritur 20 deri 30%. Tendenca më e lartë e çmimeve është për restorantet në zona të caktuara të kryeqytetit si, ish-Blloku apo Komuna e Parisit.
Arsyet e shtrenjtimit mbeten rritja e lartë e çmimeve të produkteve furnizuese, pagat e punëtorëve për shkak të mungesës së tyre. Sipas shoqatës së bareve dhe Restoranteve pagat e kamerierëve deri tani janë rritur 30% më shumë. Ata shtojnë se tendenca e çmimeve po normalizohet për strukturat e shërbimit, që deri tani kanë operuar me çmime të ulëta krahasuar me shtetet europiane.
“Në shërbime, si restorante çmimet janë rritur 20 deri 30% nga shtrenjtimi pa fre i mallrave furnizuese dhe rrogat mbi 30% të punonjësve të shërbimit, që nuk gjenden. Pra është reflektim i gjithë faktorëve që kanë rënduar këtë sektor. Gjithashtu deri më sot restorantet kanë funksionuar me njerëz që nuk janë të sektorit dhe çmime të ulëta. Çmimet po shkojnë drejt nivelit që të drekosh në restorant nuk është më lirë se sa të drekosh në shtëpi. Pra po shkohet drejt një normaliteti të tregut”, pohuan përfaqësues të shoqatës.
Sakaq Shoqata e bareve dhe Restoranteve kishte paralajmëruar më herët se nga marsi pritet rritje e fortë çmimeve, për shkak të kostove të larta nga rritja e pagave dhe shtrenjtimi i mallrave furnizuese./MONITOR