Kosherja urbane – është risia e një projekti të iniciuar nga Ambasada e Sllovenisë në Shqipëri dhe që gjeti mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bazuar mbi traditën shumëvjeçare të rritjes së bletëve në të dy vendet si dhe bashkëpunimin në këtë sektor të rëndësishëm.Në aktivitetin e organizuar me këtë rast, në ambientet e MBZHR-së, ku ishin të pranishëm ambasadori i Sllovenisë në vendin tonë, Peter Japelj dhe një përfaqësi e shoqatës së Bletarëve, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca tha se, “mbështetja për bletarinë ka marrë rëndësi parësore në politikat e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural”.Në mënyrë simbolike në tarracën e MBZHR-së u vendos një koshere bletësh, e cila, siç u shpreh Krifca, do të shërbejë si promovim i nismës për kujdesjen ndaj bletëve, jo vetëm nga bletarët, por edhe si një thirrje për uljen e ndotësve në ambient dhe rritjen e cilësisë së ajrit dhe tokës.“I bashkohemi një modeli që e kemi parë tek një vend mik si Sllovenia, që tregon një vëmendje dhe kujdes të madh ndaj bletës. Bashkë me ambasadorin kemi sjellë një praktikë të bletarisë urbane pikërisht në tarracën e MBZHR, ku mjedisi përreth ka mjaftueshëm lule, pemë, gjelbërim që shërbejnë si një kullotë e mirë për bletët që kemi sjellë këtu në tarracë, pikërisht për të promovuar një praktikë shumë të mirë që në BE njihet si bletaria urbane”, u shpreh ministrja.“Kosherja me strukturë sipas modelit slloven e mundësuar nga Ambasada Sllovene vjen në simbolikë për të promovuar bletarinë urbane”, tha ajo.Krifca u ndal në rolin e rëndësishëm të bletës në ekzistencën e ekosistemit tonë mjedisor, bujqësor, ndaj dhe siç tha ajo ne punuam për një ligj të mirëfilltë për bletarinë që mbron bletarët, bletarinë dhe shtron rrugën për zhvillimin sipas standardeve më të mira të këtij sektori.“Me miratimin së fundi të Ligjit për Bletarinë, kemi vendosur në fokus, ndër të tjera, edhe bletarinë në Shqipëri. Ky ligj merr shembull, ndër të tjera, edhe nga eksperienca Sllovene. Nga ana tjetër Sllovenia është një nga vendet e BE që i kushton mjaft rëndësi bletarisë dhe prodhimit të mjaltit si dhe është një nga vendet iniciatore të nismës së shpalljes së Ditës Botërore të Bletës (20 maj)”, u shpreh ministrja.Bletët dhe insektet e tjera polenizuese janë aleatë në mbrojtjen e mjedisit dhe përgjegjës për sigurinë ushqimore dhe ruajtjen e biodiversitetit.“Synojmë që nismën “Kosherja Urbane” ta kthejmë në një traditë të rëndësishme edukuese për fëmijë e të rritur, me vendosjen e disa koshereve edhe në ambiente të tjera publike, së pari të Tiranës, duke e kthyer qytetin në promotor të ruajtjes së ambientit dhe biodiversitetit”, theksoi Krifca.