Komisioni Kombëtar Rregullator, pjesë e Entit Rregullator të Ujit (ERRU) ka rrëzuar aplikimet e tre ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve për tarifa të reja. Enti ka analizuar për secilin rast arsyet e këtij refuzimi, së pari për shoqërinë rajonale Ujësjellës-Kanalizime, Qarku i Shkodrës.
Shoqëria në fjalë, e cila kishte dorëzuar aplikimin në 29 shtator 2023, duket se nuk ka një licencë aktive e cila duhet t’i jepet nga ERRU.
“Vetëm operatorët e licencuar kanë të drejtë të aplikojnë për tarifa shërbimi ujësjellës-kanalizimesh pranë ERRU-së”, është kusht i domosdoshëm pajisja e shoqërisë me licencë për ushtrimin e veprimtarisë së furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura nga ERRU-ja përpara aplikimit për nivel të ri tarifor” thuhet në parashtrimin e Entit.
Ky i fundit i ka kërkuar ndërmarrjes që të aplikojë si fillim për licencim pranë këtij institucioni çka më pas i hap rrugë aplikimit për tarifat e reja.
Shoqëria e dytë aplikuese, ajo e Elbasanit, në datë 29 shtator, ka kërkuar unifikim tarifash për tarifat fikse, tarifat volumetrike për shërbimin e furnizimit me ujë të pijshëm dhe largimin e ujërave të ndotura për klientët e Shoqërisë Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Elbasan SH.a
Por aplikimi sipas ERRU, ka disa mangësi të tilla, si pasqyra financiare të vitit 2022 të pafirmosura dhe vulosura për ujësjellësin e Librazhdit që është pjesë e kësaj ndërmarrje pas reformës së agregimit. Po kështu shoqëria nuk ka zhvilluar seancën dëgjimore që është kusht mbi nivelin e ri tarifor.
Një tjëtër element është ai që shoqëria s’ka respektuar aktmarrëveshjen e nënshkruar me ERRU-në për shlyerjen e detyrimeve të prapambetur. Në këto kushte aplikimi është refuzuar.
Shoqëria e tretë është ajo e ujësjellës-kanalizime në qarkun e Beratit. Enti vlerëson se në aplikimin e dorëzuar në 29 shtator mungojnë disa aspekte.
Kështu te raporti i detajuar për gjendjen teknike të sistemeve të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve sa i takon procesit të miratimit të tarifave”, i ndryshuar, konkretisht nuk është respektuar afati i njoftimit dhe nuk është marrë miratimi i ERRU-së për prezantimin e propozimit, për rrjedhojë seancat janë zhvilluar pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të ERRU-së.
Po kështu në respekt të vendimit të Këshillit Mbikëqyrës nr. 8, datë 28.8.2023, “Për miratimin e ndryshimit dhe unifikimit të tarifave UK për njësitë: Berat, Kuçovë, Dimal, Poliçan dhe Skrapar” –mungon nënshkrimi i propozimit për nivelin e ri tarifor për secilën njësi. As pagesat rregullatore nuk janë respektuar sipas aktmarrëveshjes dhe në këto kushte aplikimi është refuzuar.
Shoqëritë e ujësjellës-Kanalizimeve i janë nënshtruar dy viteve të fundit një reforme që synon bashkimin e tyre duke krijuar ndërmarrje më të mëdha.
Pjesa më e madhe e këtyre bashkimeve tashmë ka përfunduar dhe Enti kishte lënë të hapur deri në fund të shtatorit mundësinë për aplikime për tarifa të reja nga ana e ujësjellësve të sapokrijuar. /N.Maho