AKU bllokon 112 kg “djathë bebe të shkrirë” për mosdeklarim të të gjithë përbërësve ushqimorë në etiketë
Në kuadër të Programit të Punës mbi nisjen e hetimeve në stabilimentet prodhuese, përpunuese dhe ambalazhuese të qumështit dhe nënprodukteve të tij, janë kryer marrje mostre dhe kontrolle zyrtare, në këto subjekte. Nga analizimi i produktit “djathë bebe i shkrirë” i mostruar në stabilimentin e përpunimit “E”, ka rezultuar me përmbajtje të yndyrnave bimore.
Referuar përgjigjes së raport provës janë kryer verifikimet në terren, ku janë marrë masat konform legjislacionit në fuqi, duke bllokuar produktin në sasinë e 112 kg deri në notifikimin e etiketës, pasi subjekti nuk ka kryer detyrimin ligjor për deklarimin e të gjithë përbërësve (lëndë e parë) në etiketën me të cilën tregtohet produkti. Për këtë arsye është vendosur masë administrative “gjobë” në vlerën e 100’000 lekëve. Për veprime të mëtejshme, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.