Për të dytën ditë me radhë, banorët e fshatit Borizanë në Fushë Krujë protestojnë kundër fabrikave të çimentos, të cilat kryejnë shpërthime të fuqishme, duke dëmtuar banesat e tyre, por edhe rrjetin e ujësjellësit.Banorët kanë bllokuar këtë mëngjes rrugën automjeteve të fabrikës së çimentos Titan, duke qenë se dje nuk kanë marrë asnjë zgjidhje nga autoritetet policore.Banorët shprehet se shumë prej banesave kanë pësuar krisje, si dhe uji nuk është më i pijshëm, për shkak se është turbulluar.
Banorët madje pretendojnë se janë kërcënuar nga pronari i gurores që është më në afërsi të banesave të tyre, duke iu premtuar indirekt riparimin e dëmeve të shtëpive.Edhe pse në një komunikim jo direkt mes tyre ishte premtuar pezullimi i aktivitetit, shpërthimet kanë vazhduar edhe ditën e djeshme.
“Po ikën uji, po shteron, kemi familje, kemi fëmijë. Shtëpia është 100 metra larg nga vendi ku bëhen plasjet. Nuk na është marrë parasysh asnjë lloj shqetësimi dhe denoncimi që kemi bërë. Është një lagje shumë e madhe janë rreth 200-300 shtëpi.
Firma ka rreth dy muaj që vazhdon punimet, kjo gurore ka ardhur në një distancë shumë të afërt, nuk e di as kush është pronari, na bëjnë presion me telefonata. Unë e kam bërë shtëpinë me kredi, i rezistoi tërmetit dhe nuk po i reziston këtyre plasjeve, sa herë që ka goditje vjen duke u hapur më shumë.
Vijnë dhjetëra kamionë në ditë, një rrugë kemi të gjithë. Ne kërkojmë që të ngrihet një ekspertizë, uji ka dalë i papijshëm, nuk është marrë për bazë asnjë denoncim i yni.
Kam shkuar dhe kam dhënë deklaratën në polici, ndërkohë që nuk kanë marrë pronarin e gurores në fjalë, nuk është marrë absolutisht asnjë lloj mase. Ne kërkojmë ndalimin e punimeve, është zonë e pabanueshme, ngelëm duke blerë ujë, një ka mundësi një nuk ka mundësi. Ky bën plasje është pakësuar sasia e ujit”, shprehen banorët.