Marrë nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar
Një nga korrjet më të mëdha të ullirit ndonjëherë ka çuar në një prodhim rekord të vajit të ullirit në Shqipëri këtë vit. Por bumi i prodhimit ka ekspozuar një problem tjetër, paaftësinë e Shqipërisë për të eksportuar. Shumica e prodhuesve të vajit nuk kanë mundur të sigurojnë certifikimin e nevojshëm për eksport, edhe pse vendi ka dhjetëra fabrika të përpunimit të ullirit. Kjo vjen në një kohë kur vaji i ullirit shqiptar me presim të ftohtë dhe me cilësi të lartë po shitet për vetëm 4 dollarë për litër në tregun vendas dhe shumë shqiptarë po përdorin vajin e ullirit në vend të vajit vegjetal me çmim të ngjashëm, gje e cila shihet si më pak e shëndetshme. Zakonisht vaji i ullirit ka qenë shumë më i shtrenjtë se vaji vegjetal, por lufta në Ukrainë, një prodhues i madh, çoi në rritje të çmimeve të vajrave bimore. Por çmimi i ulët i vajit të ullirit shqiptar do të thotë gjithashtu se fermerët mezi po arrijnë të përfitojnë diçka nëse merren parasysh shërbimet dhe puna e vjeljes. Në fabrikat e përpunimit të vajit në Vlorë, një nga zonat më të njohura për kultivimin e ullirit në Shqipëri, fermerët po dërgojnë tashmë ullinjtë e fundit të vjelur këtë sezon. Zona ka më shumë prodhim ulliri këtë vit sesa mund të thithë tregu vendas. Drejtori i Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Vlorë, Meno Besimaj thotë se në rritjen e prodhimit këtë vit kanë ndikuar kushtet klimatike, rritja e sipërfaqeve të mbjella me ullinj dhe përmirësimi i teknologjive të ullirit dhe shërbimet. “Ka 11 milionë pemë ulliri në vend dhe rreth 9 milionë prodhuan këtë vit. Dhe çdo vit po mbillen më shumë pemë,” tha ai, duke shtuar: “Në një anketë që kemi bërë në shkallë kombëtare dhe nga të dhënat statistikore, vlerësojmë se këtë sezon mund të jenë rreth 150 mijë tonë ullinj të papërpunuar të vjelur këtë vit, duke prodhuar rreth 20 mijë tone vaj ulliri.” Rreth 90 për qind e vajit të ullirit që shitet në Shqipëri nuk bëhet përmes supermarketeve, por nga vetë fermerët dhe prodhuesit e vegjël dhe mbiprodhimi i vajit ka sjellë një ulje të ndjeshme të çmimit në treg këtë vit. Pavarësisht prodhimit masiv, eksportet e vajit të ullirit mbeten të ulëta. Në vitin 2021 u eksploruan vetëm 119 tonë, me vlerë rreth gjysmë milioni dollarë. Në vitin 2022, vlera pritet të jetë po aq e ulët. Pothuajse gjysma e eksporteve shqiptare të vajit të ullirit shkon në Shtetet e Bashkuara dhe pjesa tjetër në vendet fqinje si Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa eksporti në BE është shumë i vogël. Dashuria e shqiptarëve për pemët e ullirit (ata janë dyfishuar në numër në dy dekada) nuk do të thotë se ata mund t’i përdorin ato për të eksportuar në BE, paralajmërojnë ekspertët teknikë, pasi marrëveshjet aktuale dhe të ardhshme të shqiptarëve me BE-në do të jenë shumë të ndikuara nga shtetet anëtare të BE-së, që janë prodhues të fuqishëm të vajit të ullirit, duke mbrojtur prodhuesit e tyre. Ekspertët thonë se mungesa e shoqatës shqiptare të fermerëve që prodhojnë ullinj e vështirëson rritjen e kapaciteteve eksportuese. E vetmja mënyrë për të eksportuar vaj në sasi të mëdha është vetëm bashkëpunimi dhe certifikimi në baza grupore, në bazën e një kultivari. Enerik Xhaferaj, përpunues i vajit të ullirit në Vlorë, thotë se një nga sfidat e prodhuesve për të eksportuar është certifikimi. “Së pari, produkti duhet të jetë i certifikuar. Produkti nuk është i certifikuar sepse fermerët nuk e trajtojnë prodhimin në mënyrën e duhur, e sjellin në thasë, i mbajnë ullinjtë në shtëpi për ditë të tëra, nuk i mbledhin të pastër etj. dhe kjo çon në uljen e cilësisë së vajit”, vëren ai. Një sfidë tjetër për sipërmarrjet shqiptare për të siguruar eksportin e vajit të ullirit është forcimi i kapaciteteve laboratorike për të certifikuar si varietetet e bimëve të ullirit, ashtu edhe cilësinë e vajit. “Qendra Bujqësore në Vlorë ofron analiza biomolekulare të varieteteve autoktone të bimës së ullirit dhe disa analiza bazë për vajin, por ka ende shumë hapësirë për rritjen e kapaciteteve me pajisje dhe trajnime për të përmbushur gamën e gjerë të analizave laboratorike të nevojshme, thotë Melaize Yzeiraj, punonjëse laboratori. Certifikimi i laboratorëve shqiptarë në nivele ndërkombëtare dhe forcimi i kapaciteteve të tyre për t’iu përgjigjur analizave komplekse, mbetet një sfidë për të garantuar eksportin e vajit të ullirit,” shton ajo.