Prej disa muajsh në Tushemisht e Drilon po zbatohen dy projekte investimesh nga qeveria shqiptare të cilat pritet të transformojnë këto 2 zona, por si gjithmonë autoritetet pak e vrasin mendjen se në sezon veror duhen marrë të tjera masa në mënyrë që të garantohet mbarëvajtja e tij.
Rrugë me gropa, pluhur, baltë dhe zhurma automjetesh që punojnë është rutina e përditshme tashmë në Tushemisht. Një situatë e tillë në sezon turistik po ndikon negativisht pasi edhe njerzit nuk vijnë për të pushuar.
Besim Penko tregon se ka pasur raste kur pushuesit kanë anulluar ardhjen për shkak të punimeve.
Ndërsa bizneset e tjera nuk kanë punë, në restorante fluksi ka rënë me 50% ndërsa shitjet artizanale janë përtokë. Edhe drejtuesit mjeteve që sjellin vizitorë fundjavave ankohen për mungesën e plazhit.
Nuk kishte ndodhur të paktën në 10 vitet e fundit që Tushemishti të jetë i boshatisur, në rrugë nuk ka vizitorë aq sa edhe tek busti i Teto Ollgës nuk gjen të tillë. Duket se ky sezon për këtë fshat dhe banorët do të jetë vazhdimësia e humbjes siç ndodhi në pandemi.