MONITOR
Pas rënies së fortë që importet e kafesë shënuan në fillim të këtij viti (në muajin janar 2023, importet ranë 30% krahasuar me vjet), sipas të dhënave të Ministrisë së Financave për 5-mujorin, importet janë rritur 16%.Shoqata e Bareve dhe Restoranteve më herët theksoi se rënia e importeve në fillim të këtij viti u ndikua nga magazinimet e operatorëve gjatë dhjetorit 2022, për shkak të trendit të rritjes së çmimeve dhe rënies së konsumit nga tkurrja e fuqisë blerëse nga rritja e përgjithshme e çmimeve të produkteve të shportës ushqimore.Edhe për këtë 5-mujor, shtimi i importeve të kafesë, sipas përfaqësuesit të Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahja, është ndikuar nga magazinimi i stokut të operatorëve për të mos pasur vonesa apo mungesa të produktit gjatë muajit gusht, që përkon me sezon pushimesh në Itali nga ku importohet më së shumti kafja.Për sa i përket konsumit të kafesë në bare dhe lokale, Jahja nënvizon se nga vendasit është tkurrur, ndërsa ka një shtim të tij nga turistët me nisjen e sezonit turistik.“Turistët që po vijnë po mbajnë gjallë baret, restorantet dhe klubet e natës, pasi shqiptarët në këtë periudhë kanë tkurrur shpenzimet për të kursyer për pushimet”, pohon ai.Pavarësisht ecurisë së mirë së turizmit, sektori i shërbimeve edhe këtë vit po vuan mungesën e fuqisë punëtore. Jahja thotë se për rrjedhojë në hotele, restorante dhe bare, si staf mbështetës për pastrim, për baçevan (mirëmbajtësi i lulishtes) hidraulik, elektricist etj po punësohen pensionistë.Në fillim të këtij viti, Shoqata e Bareve dhe Restoranteve llogariste mungesë të theksuar prej 15,000 vende të lira pune në sektor, ku shkaku kryesor është largimi i popullatës në emigracion. Shoqata e Bareve. Vjet për shkak të mungesës së theksuar të fuqisë punëtore shumë struktura shërbimi kërkuan punonjës nga Filipinet.
Bien importet e cigares
Ndryshe nga tendenca e rritjes që kanë shënuar importet e kafes, ato të cigareve kanë rënë. Referuar të dhënave të Ministrisë së Financave sasia e cigareve të importuara për janar-maj 2023 është 6% më pak se e njëjta periudhë e 2022-it.Përfaqësues nga grupi AGNA distributore e markave ndërkombëtare për shumë produkte të konsumit, pohuan se importet për këtë periudhë kanë rënë 15% krahasuar me vitin e kaluar. Grupi AGNA importon cigare të markës “Karelia Slims”.Sipas tyre arsyet kryesore janë largimi i popullatës në emigracion, vendosja e fotove në paketë për dëmet që shkakton në shëndet pirja e duhanit, si dhe shtimi i rasteve me sëmundje kancerogjene. /D.Azo