Në një kohë kur problemi i mbetjeve urbane vijon të jete shqetësues në mbarë vendin, për shkak të debateve për inceneratorët , bashkia Roskovec ka filluar prej 8 muajsh , funksionimin e fushës së kompostimit të mbetjeve bimore dhe mbetjeve letër e karton. Sipas përgjegjësit te kësaj pike, Xhevahir Musko, gjatë harkut kohor të 8 muajve u arrit realizimi i mbledhjes dhe presimit të 16 ton mbetjeve karton falë bashkëpunimit me bizneset dhe qytetarët si dhe mbledhja e rreth 200 ton mbetjeve bimore të cilat janë ricikluar tashmë për t’u kthyer në pleh organik. Po sipas përgjegjësit Musko , në këtë fushë të vendosur pranë Marinzës rreth një muaj më parë u arrit edhe shitja e 12 ton kartonëve duke siguruar jo vetëm të ardhura të konsiderueshme për bashkinë të cilat do të përkthehen në shërbime për komunitetin, por ndërkohë duke kursyer dhe 12 euro për ton , tarifa për depozitimin e mbetjeve urbane në landfillin e inceneratorit të Fierit. Musko sqaron se ky proces kryhet sipas një grafiku ditor duke ndarë në zona grumbullimin e mbetjeve bimore , dhe më pas vijohet me riciklimin për te përfunduar me procesin e grirjes. Më pas mbetjet i nënshtrohen procesit të kompostimit për t’u shndërruar në pleh organik. Ky produkt do të përdoret nga fermerët e zonës për pasurimin e tokës me lëndë ushqyese dhe për të pasuruar dheun në parqet dhe hapësirat e gjelbërta të bashkisë. Ky model i ekonomisë qarkulluese është një ndër prioritetet e qeverisë për vitin 2023 ndërkohë që aktualisht qendrat e kompostimit janë funksionale në tre bashki të vendit, Cërrik, Belsh dhe Rroskovec. Ky projekt në të ardhmen do të zbatohet edhe në bashkitë e tjera të qarkut Fier.
Roskoveci gjen zgjidhjen pa incenerator, preson mbetjet dhe i kthen në pleh organik – YouTube