Rreth 7 miliardë euro është parashikuar buxheti i vitit që vjen, ose rreth 300 milionë euro më shumë se viti 2023. Sakaq, në projektbuxhetin e depozituar në Kuvend janë parashikuar 14,2 miliardë lekë vetëm për 11 kontrata koncesionare, nga rreth 13 miliardë lekë që ishin pagesat e bëra në vitin e kaluar.
Ndërsa vëmë re një ulje të ndjeshme për fondet e disa sektorëve të rëndësishme si Bujqësia dhe Infrastruktura. Konkretisht, në vitin 2024 për Bujqësinë do të jepen 14.1 miliardë lekë, nga 15.6 miliardë lekë që ka këtë vit që ju rritën me aktin normativ që rishikoi buxhetin e vitit 2023.
Kjo ndarje duket se po hedh më shumë para tek ato zëra që deri më sot kanë qenë risk i lartë për ekonominë dhe ka lënë në hije sektorët që na kanë ndihmuar në ekonomi.
Lidhur me këtë çështje, Gijotina.com ka kontaktuar me eksperten e ekonomisë Romina Radonshiqi. E cila shprehet se shtimi i buxhetit për koncesionet dhe reduktimi i fondit të bujqësisë ndodhi në kohën e gabuar, për shkak se koncesionet na shkaktojnë risk dhe bujqësia ka nevojë për mbështetje më shumë se kurrë, duke qenë se nuk kemi më as fondet IPARD.
Intervista:
Nga shqyrtimi që në i kemi bërë projektbuxhetit rezulton se Shpenzimet e parashikuara për Ministrinë e Bujqësisë për vitin 2024 janë ulur me 14.4 milionë euro në raport me këtë vit.
Si e komentoni këtë ndryshim fondesh?
Bujqësia është një sektor i rëndësishëm në ekonominë e Shqipërisë. Ky sektor ka njohur zhvillim vitet e fundit fal programeve mbështetëse dhe fondeve të qeverisë. Zhvillimi i bujqësisë ka ndikuar në rritjen e:
– Nivelit të punësimit;
– Rritje të GDP;
– Rritje të eksporteve;
– Përmirësim të bilancit tregtar.
Më pak fonde për bujqësinë nuk është një lajm i mirë për këtë sektor, sepse jemi në kushte ku bujqësia ka akoma nevojë për mbështetje. Ky ndryshim fondesh do të ndikojë në Performancën e sektorit të bujqësisë duke patur parasysh dhe pezullimin e fondeve IPARD.
Nga ana janë parashikuar 14,2 miliardë lekë vetëm për 11 kontrata koncesionare, nga rreth 13 miliardë lekë që ishin pagesat e bëra në vitin e kaluar. Por, jemi në një pikë ku organizatat ndërkombëtare na këshillojnë të kemi kujdes me koncesionet.
Cili mendoni që do të jetë efekti i shtimit të buxhetit për koncesionet? Dhe a është ky një hap i gabuar nga qeveria?
Me të drejtë Organizatat Ndërkombëtare kanë këshilluar të kenë kujdes me çështjet e koncesioneve sepse koha ka dëshmuar që ka patur mungesë performancë dhe transparence. Shtimi i buxhetit për koncesionet do ta vë qeverinë para një përgjegjësie më të madhe, pasi do i duhet të shtoj kontrollet dhe rrisë meritokracinë në këtë fushë me qëllim që shtimi i buxhetit të justifikohet. Referuar ecurisë së koncesioneve gjykoj që nuk ishte momenti i shtimit të buxhetit në koncesione, sepse vendi ynë ka nevoja më emergjente në sektor të tjerë.
Sipas jush cilët sektor kanë më shumë nevojë për më shumë buxhet?
Nëse i referohemi sektorëve të rëndësishëm në ekonominë e Shqipërisë atëherë dalim në përfundim që Bujqësia dhe Turizmi duhet të ketë mbështetjen më të madhe duke qenë se krijon kushte të favorshme ne nivelin mikro dhe makroekonomik. Por nevojë për mbështetje kanë dhe Shëndetësia dhe arsimi pasi kanë nevojë për investim.
Ju faleminderit!
Intervistoi: Esmeralda Hida