Prej muajsh banorët e fshatit Kërçisht i Epërm në Njësinë Administrative Maqellarë në Bashkinë Dibër, kundërshtojnë projektin e ujësjellësit të bashkisë për Maqellarën. Por rezistenca e tyre është thyer tre ditë më parë, teksa forcërisht policia ka larguar banorët. Por këta të fundit akuzojnë uniformat blu se janë dhunuar teksa kanë përfunduar edhe në spital. Një prej tyre është 65 vjeçarja Meliha Meta. Ajo tregon se teksa po kacafytej me policinë është rrëzuar dhe turma e ka shkelur me këmbë. Ajo është dashur të marrë trajtim mjekësor në spitalin e Dibrës, pasi ka dëmtuar këmbën e majtë. Një tjetër banore që deklaron dhunën e ushtruar ndaj saj nga uniformat blu është edhe Miranda Koçi. Kjo e fundit deklaron se ndërhyrja e policisë ishte e dhunshme, ndonëse ata po mbrojnë një të drejtë të tyren. Burrat e fshatit u shoqëruan në komisariat për tu mbajtur disa orë, ndërsa gratë u bënë mburojë në rrugë. Banorët e Kërçishtit të Epërm insistojnë që të mos preken burimet ujore të fshatit të tyre, pasi ato nuk mjaftojnë për nevojat e fshatit e jo më të dërgohen në fshatrat e tjerë. Sipas banorëve, pushteti vendor nuk ka bërë asnjë konsultim publik për projektin, duke hedhur hije dyshimi për të.