Rritja e kuotave 55% të zënies së peshkut ton për këtë vit ka përfunduar që në fillim të muajit qershor. Negocimet për rritjen e sasisë së zënies së peshkut ton pritet të shtojë në sasi eksportet 53% dhe në vlerë 7% në muajin dhjetor, kur është periudha e rritjes së këtij peshku (dmth peshku zihet tani dhe rritet deri në fund të vitit, kur bëhet gati për t’u eksportuar). Sasia maksimale vjetore e zënies së peshkut ton të kuq për Shqipërinë në 2022 ishte 170 ton sipas rregullores së Komisionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Peshkut Ton të Atlantikut (ICCAT). Kuotat janë të kufizuara me qëllim ruajtjen e kësaj specieje. Vjet pas përfundimit të negociatave për rishikimin e kuotave, sasia e lejuar maksimale për 2023 u shtua, duke arritur në 264 ton. Sipas Ministrisë së Bujqësisë vjet për një kuotë prej 170 ton të peshkuar deri në muajin Qershor, pas trajtimit të tyre në kosha në fermën e ngritur në Sarandë në muajin dhjetor u eksportuan drejt Japonisë rreth 267 ton peshk. Vlera e peshkut ton të eksportuar ishte 5,7 mln euro. Për këtë vit parashikohet që nga kuota e peshkuar prej 264 ton, pas trajtimit në zënie të arrijë në 410 ton. Eksportet në vlerë për këtë vit parashikohen të jenë 6,1 mln euro. Sasia për zënien e peshkut ton të kuq në Shqipëri dhe shtetet e tjera administrohet nga Komisioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e peshkut Ton të Atlantikut, një organizatë peshkimi ndërqeveritare përgjegjëse për ruajtjen e peshkut ton të kuq dhe specieve të ngjashme me tonin në Oqeanin Atlantik dhe detet ngjitur me të. Kur do rishikohen kuotat e açuges? Por për të shtuar më tepër eksportin e peshkut të përpunuar është e domosdoshme negocimi për rritjen e kuotave të açuges së konservuar, një shqetësim i ngritur prej vitesh nga përpunuesit e peshkut. Kërkesa e industrialistëve shqiptarë është për zgjerim të kuotave me BE-në deri në 4,000 tonë, mirëpo negociatat midis shtetit shqiptar dhe BEsë kanë mbetur prej vitesh në vend. Në kuadër të marrëveshjes tregtare me BE-në, industria shqiptare e përpunimit të peshkut mund të eksportojë drejt Europës rreth 1,600 ton peshk të përpunuar, açuge të konservuar. Për shkak të zgjerimit të kësaj industrie, prej vitit 2015, kuotat e eksportit përmbushen që në muajt gusht apo tetor. Pas plotësimit të kuotave produktet taksohen me 25% të vlerës. Për një dërgesë në vlerën 200 mijë euro, eksportuesit shqiptar do t’i kushtojë 50 mijë euro taksa doganore.