Besnikët e lumit Shkumbin as këtë vit nuk i kanë munguar turizmit lumor. Mes Elbasanit dhe Librazhdit, në fshatin Mirakë, qytetarë të moshës së tretë të organizuar në grupe kanë zgjedhur ti shpëtojnë temperaturave përvëluese duke u “strukur” pranë ujërave të lumit Shkumbin. Thonë se prej më shumë se një dekade pushojnë në këtë vend dhe një nga arsyet që e zgjedhin janë kushtet ekonomike. Një lojë me domino, ajër i freskët, ushqime të marra nga shtëpia janë disa fragmente nga e përditshma e pushuesve. Një pjesë e tyre thonë se nuk lahen në Shkumbin pasi i druhen ndonjë infeksioni , por e frekuentojnë për freskinë që ka zona.Por ka të tjerë që peshkojnë dhe lahen në lumë.
Ata jo vetëm që nuk i frikësohen efekteve anësore, por ftojnë qytetarët që nuk kanë mundësi të pushojnë në bregdet tu bashkohen.Një nga zërat më kritikë i cili shpesh ka ngritur zërin për ndotjen e lumit Shkumbin ambjentalisti Ahmet Mehmeti shprehet kundër shfrytëzimit të ujërave të lumit për plazh.Z.Mehmeti kërkon të tregohet kujdes edhe me frekuentimin e liqeneve, pasi në këto të fundit shpesh krijohen gropa thithëse të cilat mund të rezultojnë fatale për qytetarët.Vija lumore e Shkumbinit ofron një peisazh mbreslënës. Turizmi lumor do të kishte një tjetër qasje nëse do të ishte bërë mjaftueshëm për të mos i ndotur ujërat . Gjithësesi zhvillimi i këtij sektori i shërben dhe bizneseve që funksionojnë përgjatë gjithë rrjedhës së lumit.