MBZHR nis nga Belshi dezinfektimin e vatrave të karkalecit, Meçaj: Në krah të fermerëve, ndërhyrje në momentin e duhur
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka ndërmarrë aksionin për dezinfektimin e tokave bujqësore me qëllim zhdukjen e insektit dëmtues në bujqësi, karkalecit.Sot në një sipërhaqe prej 60 ha në fshatin Gjolen në Belsh nisi spërkatja me pesticide e vatrës ku është shfaqur dëmtuesi i karkalecit.Procesi është ndjekur nga afër nga drejtori i Përgjithshëm i AKVMB Roland Meçaj, i cili garantoi fermerët për marrjen e masave dhe kryerjen e dezinfektimit në zhdukjen e insektit dëmtues.“Po ndërhyjmë në kohën e duhur me një plan konkret kontrolli dhe dezinfektimi për uljen e popullatave të këtij dëmtuesi. Ne e kemi në kontroll të vazhdueshëm situatën dhe që prej disa muajsh po monitorojmë informacionet e mara nga Drejtoritë Rajonale të Elbasanit dhe të Vlorës, për sipërfaqet e prekura nga insekti dëmtues, ndërsa i kemi kërkuar fermerëve të mos i lënë tokat djerrë, t’i punojnë me mekanikë, pasi ky është një insekt që shfaqet në tokat e papunuara” tha Meçaj.Aktualisht tha ai, insekti është shfaqur në sipërfaqe relativisht të vogla në bashkinë Divjakë dhe Belsh ku po ndërhyhet me insekticide, që janë miqësore me mjedisin dhe prodhimin.Meçaj theksoi se, tani është momenti i duhur për të ndërhyrë, pasi jemi në fazën e tretë të larvave dhe procesi do të zbatohet sipas planit të përcaktuar nga ekspertët.Ai vuri në dukje se ky fenomeni është sezonal dhe nga masat e marra në mënyrë të vazhdueshme këtë vit paraqitet në numër më të ulët vatrash se vitin e kaluar. Meçaj i bëri apel fermerëve të bashkëpunojnë me autoritetet dhe të mobilizohen bashkë me strukturat e drejtorisë së bujqësisë së qarkut, në funksion absolut të këtij qëllimi, shfarosjen e karkalecit.“Tani ne do të bëjmë një ndërhyrje në të gjitha vatrat e prekura me qëllim uljen e popullatës së këtij dëmtuesi duke ndihmuar fermerët në mbrojtjen e prodhimit bujqësor”, tha Meçaj.Procesi i dezinfektimit po ndiqet edhe nga ekspertët e fushës dhe profesorë të Universitetit Bujqësor të Tiranës, të cilët po informojnë dhe këshillojnë fermerët për mbarëvajtjen e procesit deri në zhdukjen e insektit dëmtues.