Lavdosh Feruni
Në Gji të Vlorës oxhaqet e TECit të Bangladeshit kanë filluar, një nga një të nxjerrin tym për nga 1 orë sejcili. Pas këtij testi pritet të bëhet testi i besueshmërisë, ku 17 gjeneratorët do të jenë në punë për 72 orë e ku do të maten edhe emetimet e ndotësve.
Duket qartazi se kjo është sfidë jo e lehtë prej pronarit të TECit të Bangladeshit, Excelerate Global Operations LLC (në kontratë “Pronari”). Pronari, që është një kompani offshore regjistruar në Delaware, po bën sforco të bëj të mundur që 17 gjeneratorët të nxjerrin tym, edhe pse ka më shumë se 1 vit që ka tejkaluar afatin e kolaudimit. Në shprehjen e interest të tenderit pronari përcakton si afat kohor 160 ditë nga fillimi i kontratës (4 Prill 2022) deri në kolaudim.
Pronari e di shumë mirë, se mjafton ti vendos në punë gjeneratorët dhe ai do të vjelë qiranë prej 60,000 USD në ditë, për 2 vjet, edhe sikur të mos punojnë asnjë ditë gjeneratorët. Kushdo e kupton (sigurisht KESH) se duke ditur se çmimi i blerjes së energjisë në tregun ndërkombëtar është së paku 2 herë më i lirë, krahasuar me koston e prodhuar prej TECit të Bangladeshit, kur i duhet energji KESH do e blej në treg, ku është më lirë. Nëse KESH prodhon nga TECi i Bangldeshit thjesht do bënte një krim ekonomik.
Pavarësisht nga një kontratë, qartazi e formuluar në përfitim të kompanisë offshore, dhe nëpërmjet saj të kompanisë mëmë Exceleraste Energy, KESH e ka një mundësi për të dalë nga lluca ku ka mbetur, ose ku e kanë futur.
Sipas klauzolës 4.5 pika “f” dhe “g”, në shtojcën 1 të Kontratës “Bareboat”
KESH mund ta ndërpresë Marrveshjen dhe të aplikoj “Opsion i Refuzimit”
“Kur kolaudimi nuk ka përfunduar brenda periudhës së Korigjimit të difekteve (ose sipas rastit, gjatë periudhës së Lejuar të Vonesës, kompania (shenimi im: KESHi) do ketë të drejtën duke vepruar sipas gjykimit të saj absolut.. të ndërpresë Marrveshjen (Opsioni i Refuzimit)”.
Dhe nëse zgjidhet opsioni i refuzimit Pronari i TECit, sipas pikës “g” e çmonton dhe heq TECin nga Gjiri i Vlorës.
Përveç vonesës së vënies në punë, që rrëzon thelbin e kontratës, që ishte për kushte të emergjencës së energjisë, e cila u shpall 2 vjet më parë dhe mbaronte, sipas VKM, më 15 Prill të vitit të kaluar, KESH mund të atakoj dhe shumë pika të tjera të dobëta të aspektit teknik, që janë evidente.
Paditësit e shoqërisë civile, në ditët në vijim do jenë Gjykatën Administrative përballë me KESHin dhe institucionet e Qeverisë për të treguar dhe një numër të madh shkeljesh dhe për të kërkuar përgjegjsi dhe për të rrëzuar kontratën. Pala kryesore e pronarit të TECit të Bangladeshit, që ka firmos kontratën, nuk mund të thirret nga paditësit në këtë proces, se nuk ka adresë në Shqipëri, që të mund ta thëras Gjykata Administrative.
Por KESH i ka të gjitha mundësitë, i mbështetur edhe nga avokatët e shtetit si dhe nga vetë institucionet e shtetit, përfshi edhe ministritë respektive të Energjisë dhe Mjedisit ta zmbrapsin këtë marrveshje poshtëruese dhe rrënuese për buxhetin e këtij vendi.
Kryeministri Rama, mos të sillet si me inceneratorët, por të verë në lëvizje instrumentat e shtetit për të bërë të mundur që të ndalohet kjo vjedhje. Duket që ka dhe njerëz që presin që vjedhja të ndodhi e më pas të kërkojnë që SPAK të fus në burg personat përgjegjes. Parandalimi merr vlerë shumë më të madhe .
Ambjentalistët janë sy e vesh, që të monitorojnë super ndotjen që gjeneron ky TEC, që do djegë 600 ton naftë të rëndë në ditë, ndotje që edhe në letër është e papranueshme, sidomos sa i përket oksidit të squfurit, grimcave të imta etj, pa llogaritur, amortizimin 30 vjeçar të këtyre gjeneratorëve, që edhe kompania, që i ka prodhuar, nuk i ka në databazën e saj.
Dhe askush nuk mund të mos konsideroj vendndhjen e tyre, në Gjirin turistik të Vlorës. Askush të mos harroj dhe qytetarët e Vlorës, që s’kanë parë gjë akoma.
Ka dhe një zhvillim interesant që vjen nga Komisioni Europian në raportin e tij për Shqipërinë, dorëzuar javën e kaluar.
Në të thuhet: “Për të shpejtuar prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme dhe për të lehtsuar tranzicionin nga energjia hidro tek llojet e tjera të rinovueshme më shumë tendera duhen bërë për energjitë e rinovueshme (shenimi im: nga dielli dhe era)”. Kështu bie dhe kriteri i zgjedhjes se pronarit të TECit të Bangladeshit, që u zgjodh se në shprehjen e interest pat shkruar se ishte ai bashkë me kompaninë Italiane, Renco, që do duhej të ishin fitues, pasi do ndërtonin dhe 2 TECe të tjerë me gas, po në Vlorë e do investonin dhe një terminal të madh të rigazifikimit, po në Gji të Vlorës, për të furnizuar gjithë rajonin e Ballkanin.
Shqipëria është dhe duhet të jetë vendi model europjan, me 100% të prodhimit të energjise elektrike nga burome të rinovueshme.