Abdulla Diku
Dy vite më parë organizata ILIRIA nisi punën për të përmirësuar legjislacionin bujqësor në Shqipëri.
Qëllimi ishte ndalimi me ligj i djegies së tokave bujqësore – një praktikë sa arkaike aq edhe anti-mjedisore, madje edhe me kosto të mëdha ekonomike për fermerët.
Për më tepër, djegia masive e tokave bujqësore po përcillte imazhe tejet negative për vendin, duke qenë se djegia e tokave bëhej kryesisht gjatë verës, në pikun e sezonit turistik.
Thuajse çdo vit kishim lajme të humbjes së jetës nga ‘djegia e shkurreve apo mbeturinave….’ dhe akoma më shumë lajme për djegie të ullishteve, banesave etj. etj.
Djegia e tokave ndodhte kryesisht prej perceptimit të gabuar se zjarri “përmirëson tokën”, por në fakt e dëmton dhe shkatërron atë.
Përveç argumenteve në mbrojtje të tokës, mjedisit dhe imazhit turistik të vendit, bashkë me Prof.Fran Gjoka nga Universiteti Bujqësor i Tiranës bëmë edhe analizat kimike të tokave të djegura dhe atyre të pa djegura, me qëllim vlerësimin e humbjeve të lëndëve ushqyese nga zjarri. Nga analizat e bëra na rezultoi se për një sipërfaqe prej një hektar toke, humbjet ekonomike ishin rreth 1530 euro. Pra kjo kosto ekonomike do te duhej të paguhet nga fermeri, për blerjen e ushqyesve kimikë shtesë për të kompensuar humbjen e lëndëve ushqyese nga toka e djegur.
Pra, përveçse një kosto e madhe mjedisore, ndotje peizazhi dhe probleme me sigurinë e jetës dhe pronës, djegia e tokave ka dhe një kosoto mjaft të madhe edhe për vetë xhepin e fermerit.
Drafti i propozuar nga ana jonë u miratua në Kuvendin e Shqipërisë me ligjin 68/2023, me datën 27.07.2023.
Më poshtë teksti i ligjit;
LIGJ Nr. 68/2023
PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR. 9244, DATË 17.6.2004, “PËR MBROJTJEN E TOKËS BUJQËSORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e një grupi deputetësh,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Në ligjin nr. 9244, datë 17.6.2004, “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa:
Neni 1
Në nenin 1 pas pikës 10 shtohet pika 11 me këtë përmbajtje:
“11. “Agrifotovoltaik” është aktiviteti mbi tokën bujqësore, ku zhvillohen njëkohësisht prodhimi bujqësor në mënyrë të pandërprerë i kombinuar me ndërtimin, shfrytëzimin, operimin, prodhimin, tregtimin, shpërndarjen dhe transmetimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme fotovoltaike (nga dielli).”.
Në nenin 14 pas pikës 4 shtohet pika 5 me këtë përmbajtje:
“5. Në tokë bujqësore lejohet:
a) ndërtimi i infrastrukturës dhe veprave ndihmëse për prodhimin, zhvillimin, shfrytëzimin,
operimin, shpërndarjen dhe transmetimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme eolike (nga era), në tokat me bonitet deri në 8 vetëm duke vijuar dhe aktivitetin bujqësor.
b) ndërtimi i infrastrukturës dhe veprave ndihmëse për zhvillimin, prodhimin, tregtimin, shfrytëzimin, operimin, shpërndarjen dhe transmetimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme agrifotovoltaike dhe ndërtimi i infrastrukturës për vetëprodhuesit e energjisë së rinovueshme vetëm duke vijuar aktivitetin e prodhimit bujqësor dhe në mënyrë të kombinuar në tokat bujqësore me bonitet 7 dhe 8, vërtetuar nga Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës (DAMT);
c) ndërtimi i infrastrukturës dhe veprave ndihmëse për zhvillimin, prodhimin, tregtimin, shfrytëzimin, operimin, shpërndarjen dhe transmetimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme fotovoltaike dhe eolike dhe ndërtimi i infrastrukturës për vetëprodhuesit e energjisë së rinovueshme në tokat bujqësore me bonitet 9 dhe 10, vërtetuar nga Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës (DAMT) ose me dokument pronësie;
ç) instalimi i infrastrukturës dhe veprave ndihmëse për zhvillimin, prodhimin, tregtimin, shfrytëzimin, operimin, shpërndarjen dhe transmetimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme fotovoltaike dhe agrifotovoltaike mbi sera, kapanone, magazina, stalla dhe objekte të tjera në toka bujqësore;
d) Këshilli i Ministrave përcakton kriteret mbi përdorimin e tokës bujqësore për kryerjen e aktivitetit agrifotovoltaik sipas përcaktimeve të këtij neni dhe atij eolik në tokat bujqësore me bonitet deri në 8, procedurat për monitorimin e ushtrimit të aktivitetit përfshirë masat për shkelje të kushteve të ushtrimit të aktivitetit, si dhe tarifën që paguajnë subjektet që tregtojnë energjinë e prodhuar në centralet e energjisë së rinovueshme agrifotovoltaike në toka bujqësore. Tarifa transferohet në programin për bujqësinë dhe zhvillimin rural për mbështetjen e bujqësisë.”.
“Neni 16/1
1. Ndalohet ndezja e zjarreve në tokat bujqësore, me përjashtim të rasteve të parashikuara në pikat 2 dhe 6 të këtij neni.
2. Ndalohet djegia e lëndës kashtë apo mbetjeve të tjera bujqësore, barërave, ferrave apo shkurreve, që rrezikojnë përhapjen e zjarreve në toka bujqësore, pyje dhe kullota, gjatë periudhës nga 1 prilli deri më 30 nëntor të çdo viti.
3. Për periudhën tjetër të vitit procesi mund të kryhet vetëm nëse plotësohen kushtet e mëposhtme:
a) marrjes së lejes nga njësia e vetëqeverisjes vendore në të cilën identifikohen emri i personit ose personave që marrin përsipër aktivitetin e djegies, vendndodhja e sipërfaqes që do të digjet, data dhe ora kur bëhet djegia, si dhe pëlqimi me shkrim i pronarëve ose poseduesve të pronave kufitare.
b) marrjes së lejes nga shërbimet e mbrojtjes civile ku përshkruhen masat parandaluese që garantojnë që zjarri të mos dalë jashtë kontrollit, sipas formatit të miratuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.
4. Djegia e tokave bujqësore, vreshtave, pemëtoreve, shkurreve e ferrave, referuar pikës 3 të këtij neni, në çdo rast duhet të bëhet vetëm nëse nis dhe përfundon gjatë orëve të ditës, të fillojë pas orës 8.00 dhe të përfundojë para orës 18.00.
5. Në çdo rast ndalohet ndezja e zjarreve:
a) në zona që shtrihen brenda territorit të zonave të mbrojtura, zonave turistike, pikave të kalimit kufitar apo zonave kufitare të Republikës së Shqipërisë;
b) në distancë më të afërt se 100 metra nga akset rrugore kombëtare;
c) në distancë më të afërt se 2000 metra nga sipërfaqet pyjore, plantacionet me drurë të ndryshëm dhe vreshtat;
ç) në distancë më të afërt se 1000 metra nga pikat e shitjes së karburanteve apo depozitat e tyre;
d) në distancë më të afërt se 2000 metra nga fshati më i afërt dhe së paku 2000 metra larg çdo banese individuale;
dh) në ditët kur era fryn me shpejtësi 20 km në orë edhe nëse janë marrë lejet e përcaktuara në pikën 3 të këtij neni;
e) në distancë më të afërt se 3000 metra nga repartet dhe instalimet ushtarake;
ë) në një sipërfaqe më të madhe se 1000 metër katrorë brenda një dite.
6. Në toka bujqësore lejohet djegia e bimëve, pjesëve të tyre apo mbetjeve bimore për arsye të
lidhura me shëndetin e bimëve në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e bimëve, mjedisit dhe mbrojtjes civile, bazuar në urdhrin e autoritetit kompetent.
7. Rregulla të hollësishme për marrjen e masave parandaluese për përhapjen e zjarreve në toka bujqësore caktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Në nenin 28 pas shkronjës “d” shtohet shkronja “dh” me këtë përmbajtje:
Neni 4
“dh) moszbatimi nga pronarët e tokës bujqësore dhe poseduesit e tjerë të ligjshëm të kërkesave të nenit 16/1 kur nuk përbën vepër penale”.
Neni 5
Nxjerrja e akteve nënligjore
Ngarkohet Këshilli i Ministrave që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 14, pika 5, shkronja “d” dhe nenit 16/1, pika 7, të ligjit.
Neni 6
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Miratuar në datën 21.7.2023.
Shpallur me dekretin nr. 184, datë 2.8.2023, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj
+2
All reactions:
Ola Mitre, Flutura Tota and 113 others