Muzeu natyror i Divjakës me koleksionin e tij prej 400 fluturash dhe specie të tjera vijon të tërheqë një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj që prej hapjes së tij dy vjet më parë.Administratori i guidës turistike Divjakë-Karavasta, si dhe krijuesi i këtij muzeu Altin Hila tha për Atsh-në se “ky muze nga janari deri në fund të qershorit u vizitua nga rreth 4000 vizitorë vendas e të huaj”.“Ndër vizitorët vendas numrin më të lartë e zënë nxënësit dhe studentët. Por ky park gjithmonë e më shumë po ngjall kureshtjen edhe të shumë biologëve të pasionuar pas natyrës”, tha Hila.Për krijimin e këtij muzeu Hilës i është dashur mbi 20 vite përkushtim.“Ky koleksion përveç konservimit, dokumentimit, njohjes së pasurisë së një vendi , synon mbi të gjitha edukimin e brezave te rinj me pasuritë e vendit tonë”, shtoi Hila.Në këtë muze unik vizitorët shijojnë botën magjike të fluturave, insekteve, molusqeve dhe të disa specieve të rralla.Hila tregon se “muzeu është edhe dy herë më i madh, por për arsye të vendit, hapësirës nuk mund t’i ekspozojë. Siç janë shpendët, zvarranikët, butakët, merimangat e shumë të tjera. Sepse hapësira është ambient i vogël i shtëpisë së tij”.Ai i bën thirrje autoriteteve që ta ndihmojnë në përmirësimin dhe zhvillimin më tej të kësaj pasurie sepse, siç shprehet Hila tashmë ky ambient nuk është më as i Altinit, as i Divjakës, por i gjithë Shqipërisë.Në Divjakë – Karavasta jetojnë 95% e specieve kombëtare. Ky ambient ka vlera kombëtare tashmë duke qenë i vetmi i këtij lloji në Shqipëri, Kosovë e Mal të Zi. Mes specieve të ekspozuara në muze është edhe flutura monarku afrikan (Danaus Krispus), e cila emigron nga Afrika dhe shkon në Divjake, duke u kthyer në atraksion dhe simbol për zonën ashtu si pelikani apo flamingot.Po ashtu, mes molusqeve specieve detare ndodhet edhe midhja me e madhe e ujërave të bregdetit shqiptar Pina nobilis. Kjo specie tashmë është në rrezik zhdukje në shkallë botërore. Po ashtu dhe shumë të tjera që tashme ndodhen në librin e kuq.Hila thekson se “Divjaka mbetet vendi magjik atraktiv që mund të vizitohet 365 ditë të vitit. Fluksi i vizitoreve është gjithmonë në rritje dhe i pandalshëm. Divjaka ofron gjithçka që i duhet turistëve natyrë, histori, arkeologji, vrojtim zogjsh, faunë, florë, sporte të ndryshme, peshkim, etj”.Përveç natyrës, parku kombëtar u ofron qytetarëve edhe “shoqërinë” e specieve të rralla dhe të veçanta që ndodhen në këtë park si pelikani kaçurrel, apo edhe gjitari globalisht i kërcënuar – lundërza (Lutra, lutra), çakalli, dhelpra, baldosa, dallëndyshja e detit, por edhe disa lloje të rralla pishash.Në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta gjenden edhe delta lumenjsh, laguna, duna ranore dhe bimësi e rrallë, çka e bën këtë park një ndër më të rëndësishmit në Mesdhe.