Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës (SHRUKD) njoftoi sot se në linjën e pranimit të Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura (ITUN) në Shënavlash është konstatuar ndotje e lartë mjedisore.Sipas njoftimit për shtyp të SHRUKD, mbetje të shumta me bazë hidrokarbure kanë lëvizur nëpërmjet kanalizimeve të ujërave të ndotura të qytetit duke përfunduar tek impianti i trajtimit.Kjo ndotje është e përmasave shumë të mëdha dhe ka shkaktuar dëmtime tek disa pajisje të impiantit.“Në kushte të tilla puna në impiant është ndërprerë deri në pastrimin e plotë të këtyre mbetjeve. Mendohet se sasia e mbetjeve të tilla është hedhur në kanalizimet e zonës së Plazhit pranë stacionit të pompimit nr 6 dhe më pas ka ardhur në stacionin fundor nr 9 dhe që andej në impiantin e Shënavlashit. Për këto arsye SHRUKD ka njoftuar IKMT, Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe Policinë e Shtetit për këtë ngjarje”, thekson SHRUKD.Pranë impiantit kanë ardhur inspektorë të këtyre institucioneve, të cilët kanë parë shkallën e ndotjes dhe kanë bërë akt-konstatimin e rastit të shoqëruar edhe me foto për të vazhduar me procedurat e mëtejshme.Sipas specialistëve ka pasur edhe në të kaluarën ndotje të tilla mjedisore, por jo në përmasa të tilla si kjo që është konstatuar ditën e sotme.SHRUKD kërkon nga instancat përkatëse gjetjen e autorëve që kanë shkaktuar këtë ndotje me pasoja të mëdha për impiantin dhe ekosistemin e zonës.