MONITOR. Rreth 34 mijë fermerë kanë përfituar deri në fund të gushtit nga subvencionimi i naftës në bujqësi, një program i nisur nga qeveria tashmë prej të paktën tre vitesh.
Raportimi i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural mbi zbatimin e buxhetit në 8-mujor tregon se numri i aplikantëve mbetet dukshëm më i lartë sesa përfituesit për të cilët është bërë disbursimi por ky është një proces që vijon.
Madje Ministria ka pranuar se është kërkuar që fondit të destinuar për këtë zë t’i shtohet edhe një vlerë prej 1 miliardë lekësh apo rreth 9.5 milionë euro.
“Skema e subvencionimit me naftë për bujqësinë. Ka përfunduar procesi i aplikimit, vlerësimit dhe jemi në fazën e disbursimit të fondeve. Kemi pasur rreth 54 691 aplikime në total, nga të cilat janë vlerësuar dhe disbursuar 33 846. Për skemën e mbështetjes me naftë është kërkuar fond shtesë prej 1 miliard lekë” thuhet në raport.
Ndërkohë një tjetër element për të cilin raportohet është ai mbi masat mbështetëse në bujqësi ku aplikimet kryesore janë për blegtorinë dhe më pas bletaria.
“Ka përfunduar procesi i aplikimit dhe vlerësimit të aplikimeve. Kanë aplikuar rreth 13 966 aplikantë për skemat kombëtare, nga të cilët janë shqyrtuar rreth 13 873 aplikime dhe janë disbursuar rreth 8 825 përfitues. Aplikimi më i madh vazhdon të jetë tek masa e blegtorisë me rreth 61.7% të aplikimeve (matrikullim gjedh dhe matrikullim dele/dhi), ndjekur nga mbështetja për bletarinë me rreth 27.9% të totalit të aplikimeve” thuhet në dokument.
Një nga pikat më të nxehta të diskutimeve të kësaj vere ka qenë program IPARD II, ku u njoftua se Bashkimi Europian ka pezulluar fondet pas një hetimi të bërë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit(OLAF).
Të pyetur nga media në atë kohë zyra e BE në Tiranë konfirmoi se ishin ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj autoriteteve shqiptare për shpenzimet në kuadër të procesit. Në raportin e buxhetit për 8 mujorin Ministria e Bujqësisë ndalet shkurtimisht tek ecuria e këtij programi por nuk ka raportuar për ndonjë pezullim.
“Përfitues nga programi IPARD II. Jemi në proces vlerësimi dhe disbursimi të fondeve. Aktualisht janë disbursuar 74 subjekte” thuhet në dokument duke nënvizuar se nga këto përfitues të paktën 15 janë gra./N.Maho