BIRN
Grykëderdhja e lumit të Shalës në liqenin e Komanit është një nga destinacionet më tërheqëse të Alpeve shqiptare gjatë viteve të fundit. Por imazhi i virgjër i zonës në skajin verior të Shqipërisë cënohet nga tonelatat e mbetjeve që notojnë në liqenin e Komanit.Në bujtinën “Blini i Gurit t’Lekës” – që e ka marrë emrin nga një gojëdhënë për Lekë Dukagjinin, pronari Paulin Qeta thotë se hedhja e mbeturinave në liqenin e Komanit po e dëmton së tepërmi zhvillimin e turizmit në këtë zonë.“Unë vetë personalisht në fillim të sezonit bëj dy-tre pastrime të liqenit të Komanit me varka që kanë fshatarët, duke i paguar ata, por prapë nuk e pastroj aq sa duhet,” tha ai për BIRN.
Liqeni i Komanit është një rezervuar mbi lumin Drin, i rrethuar nga kodra të pyllëzuara, shpate vertikale dhe gryka të thella. Rreth 90% e mbetjeve në liqen vijnë nga Fierza si dhe fshatrat e zonës së Fushë- Arrëzit dhe Tropojës.Qeta fajëson për ndotjen si njësitë e pushtetit vendor, ashtu edhe banorët.“Pushteti vendor nuk i mbledh mbeturinat, ndaj ata i hedhin këtu,” thotë ai.Edhe Entela Kola, përgjegjëse e turizmit në bashkinë e Vaut të Dejës thotë se 12 fshatrat e njësisë administrative Temal ndikojnë në ndotjen e liqenit të Komanit. Shumë prej këtyre fshatrave janë braktisur nga banorët e tyre, por një pjesë kthehen gjatë sezonit të verës. “Ne jemi si të thuash pika e fundit ku grumbullohen këto plehra të nisura nga vende të ndryshme. Kjo e penalizon liqenin e Komanit,” tha Kola.
“Mbetjet plastike dhe kanaçet që hidhen nga dora e njeriut kanë të bëjnë me ndërgjegjësimin e njerëzve, por edhe me mungesën e shërbimeve nëpër njësitë administrative dhe fshatrave në zonën e liqenit,“ tha Nurja.“Janë edhe ndotje tjera, që vijnë nga kalbja e drurëve në kurorën e liqenit,” shtoi ai, ndërsa theksoi se drurët e kalbur mund të dëmtojnë edhe agregatet e hidrocentraleve.Fenomeni i kalbjes së drurëve e ka zanafillën para vitit 1985, kohë kur nisi puna për ndërtimin e turbinës së parë të liqenit të Komanit. Ndryshe nga liqeni i Fierzës, në Koman nuk u pastrua kurora e liqenit.Korrikun e kaluar, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe ajo e Mjedisit, Mirela Kumbaro deklaruan nga Komani se Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, KESH do të realizonte mbledhjen dhe ndarjen e mbetjeve në liqen përmes një anijeje në dispozicion.Por Paulin Qeta thotë se anija qëndron e ankoruar në breg dhe nuk u vu asnjëherë në funksion.“Nuk ka hy asnjëherë me pastru liqenin. E kemi ngritë problemin disa herë si në ministrinë e Mjedisit e Turizmit, në media etj,” tha ai.Si pjesë e grupit të punës për menaxhimin e sezonit turistik në qarkun e Shkodrës, Entela Kola i tha BIRN se kishte kërkuar me forcë “futjen e forcave të ushtrisë për pastrimin e liqenit të Komanit”.Megjithatë, zgjidhjen afatgjatë ajo e sheh te ndërgjegjësimi i komunitetit.“Nuk bëhet kjo ‘hajde marrim thasët e zinj dhe të pastrojmë liqenin. Kërkohet edhe ndërgjegjësim dhe kulturë në këtë drejtim,” përfundoi Kola.