Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, ka folur sot në Kuvend pas ndërprerjes së fondit të BE-së për bujqësinë, nën akuzën për korrupsion.
Krifca tha se lajmi për AZHBR-në nuk është i ri dhe është bërë publik që prej shkurtit të 2021, ndërsa shton se në komunikatën e djeshme nuk përmendet fjala korrupsion.
Ministrja thekson se programi nuk është ndaluar, është në funksion. Sipas ministres, është pezulluar vetëm pagesa e radhës nga Drejtoria e Përgjithshme e Bujqësisë në Bruksel.
“Dje nuk ka pasur një lajm të ri, lajmi se AZHBR është vënë nën hetim nga struktura e BE-së për parandalimin e mashtrimit, veçanërisht nga OLAF, është një lajm i bërë publik që në shkurt 2021 kur ata erdhën në zyrat tona. I vetmi lajm i ri ishte njoftimi i pezullimit të pagesës së radhës nga Drejtoria e Përgjithshme e Bujqësisë në Bruksel me synimin për zbardhjen e rrethanave. Në atë letër nuk përmendet fjala korrupsion.”
Ministrja u shpreh se ministria është më shumë se kushdo e interesuar për të zbatuar dhe për të korrigjuar veprimtarinë e institucionit
“Nuk mund të parashikoj apo komentoj asnjë nga këto rrethana, por mund të siguroj se sistemi i menaxhimit të fondeve dhe procedura e ndjekur nga AZHBR janë të akredituara nga BE.
Nëse këto procedura të verifikuara shkelen për shkak të zhvillimeve të ndryshme, ne jemi më shumë se kushdo të interesuar për zbatimin dhe korrigjimin e veprimtarisë së institucionit. Programi nuk është ndalur, vijon, autoritetet zbatuese janë në punë dhe janë në partneritet me strukturat e BE-së për të plotësuar çdo kusht që vendoset.
Programi nëpërmjet strukturave të akredituara sigurisht që kërkon përmirësime të vazhdueshme për të përballuar sfidat e bujqësisë në një sektor që ka përparuar shumë, por ka edhe sfida të mbartura informaliteti. Ky program jetik për vendin, të mos bëhet objekt i konsumit politik të ditës pa llogaritur pasojat.”
Ajo tha ndër të tjera se këto gjëra ndodhin edhe në shtete të tjera të mëdha si Gjermania, Holanda, Spanja, që kanë pasur probleme me fondet e OLAF, por kjo nuk do të thotë, sipas ministres Krifca, që ka korrupsion.
“OLAF vihet në lëvizje në momentin e denoncimit kur jep arsye të besueshme për mashtrim, korrupsion etj.
Nga 27 vende të BE-së, vetëm dy nuk kanë pasur parregullsi në fonde. Gjermania, Holanda, Spanja janë disa nga vendet e mëdha që kanë pasur probleme me fondet e OLAF. Kjo nuk do të thotë se ka korrupsion.
Gjithmonë ka vend për përmirësim të vazhdueshëm. AZHBR është bërë pjesë e këtij hetimi, duke vënë në dispozicion çdo dokument apo informacion. Nuk thuhet në asnjë moment që ka korrupsion, por thuhet se ka dyshime për korrupsion.
Unë jam vënë plotësisht në dispozicion të OLAF. Jemi krenarë për punën e bërë. Ne kemi krijuar një model menaxhimi si asnjë institucion tjetër. Ju ftoj të gjithë ju deputetë të shikoni punën që është bërë nga AZHBR”.