Operatorët e karburanteve vijojnë të paguajnë tarifën e koncesionit të markimit të naftës, pavarësisht se afati për mbylljen e kontratës pritej data 1 gusht 2023.Imortuesit e naftës pohojnë se në rast se nuk paguajnë tarifën e markimit nuk iu mundësohet zhdoganimi i karburanteve..Në fakt, pagesa e këtij koncesioni bëhet direkt nga konsumatorët në çmimin e naftës, teksa operatorët thonë se vetëm ky koncesion e rrit çmimin me rreth 1 lekë për litër, ose rreth 7.6 milionë euro në vit. Që nga fillimi i këtij koncesioni, konsumatorët kanë paguar rreth 32 milionë euro në çmimin e naftës, sipas të ardhurave të deklaruara në bilanc nga koncesionari, ndërkohë që nuk ka të dhëna se sa efektiv ka qenë ai për luftimin e evazionit. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave nuk iu përgjigj kërkesës për informacion të Monitor për vijimin e pagesës së tarifës së koncesionit nga operatorët pas datës 1 Gusht, si dhe kur do të ndërpriten ato dhe se si do të vijojë më tej ky shërbim.Shoqata e Hidrokarbureve deklaroi edhe më herët se operatorët e naftës po paguajnë prej muajsh tarifën e koncesionit të markimit në kundërshtim me ligjin, pasi sipas tyre kontrata ka përfunduar më 26 shkurt 2023 ..Të njëjtën datë të përfundimit të aktivitetit ka deklaruar në QKB edhe kompania koncesionare Global Fluid International (GFI). Kompanitë kërkuan ndërprerjen e pagesave, pasi janë antiligjore.Vitin e kaluar Ministria e Financave dhe Ekonomisë, sipas këtyre përcaktimeve për mbylljen e kontratës në muajin gusht 2023, ngriti një grup pune me ekspertë të saj dhe Doganave të Përgjithshme.Qëllimi i grupit të punës ishte përgatitja e inventarit për pajisjet e instaluara nga subjekti dhe përcaktimi se cila prej tyre do të kalonin në pronësi të shtetit. Por kompania koncesionare GFI Albania bllokoi në 2022 procesin e grupit të punës për mbylljen e koncesionit me pretendimin që ende nuk është realizuar një element i kontratës ai i markimit të naftës bruto. DPD pohoi për Monitor se procesi i gjurmimit të naftës ka funksionuar normalisht, ndërsa pyetjes për efektet e matshme, se sa janë rastet e zbulimit të kontrabandës së naftës apo vlera e tyre nëpërmjet gjurmimit të naftës nga kontrata koncensionare do te deklaronte se nuk ka koment.