Nga Abdulla Diku
Dëgjoj e lexoj shpeshherë për vizitorë që kanë kaluar pak kohë në stan si vizitorë dhe ka prej tyre që nuk kanë dalë të kënaqur. Ndyrshe nga vizitorët e huaj, vetëm vizitorët shqiptarë e kanë këtë problem.
Për të gjithë personat që duan të shkojnë e vizitojnë bjeshkët në Alpet shqiptare, duhet të dinë disa gjëra bazike;
1. Nuk ka rrugë të mirë makine. Nëse nuk keni një mjet 4×4 dhe të përshtatshëm për rrugë shumë të vështira, mos u nisni.
Nëse e ndani mendjen, pajiseni mirë makinën (goma rezervë, karburant, litar, pompë për gomat, çelësa etj.)
2. Në bjeshkë nuk ka telefon. Që do të thotë se nuk keni qasje në rrjet dhe më tej në internet. Pak stane kanë Wi-Fi. Nëse nuk bëni dot pa internetin, pyesni që në fillim për të (nëse ka apo jo).
3. Nuk ka energji elektrike. Vetëm pak stane kanë panele diellore sa për ndriçim. Ndaj një elektrik dore rekomandohet ta merrni me vete. Një mjet i tillë duhet gjithnjë nëse udhëton në natyrë.
4. Është ftohtë. Nëse në qytetet tona temperatura është rreth 40 gradë, në bjeshkë është ftohtë. Lartësia 1800 metra krijon një disnivel të madh temperature me qytetet. Kjo diferencë bën që temperatura në bjeshkë të jetë sëpaku 15 gradë më e ulët. Do duhet të flini me jorgan a batanije se natën bën ftohtë. Ndaj merrni edhe rroba të trasha për ti veshur në mbrëmje dhe mëngjes.
5. Nuk ka gjithmonë ujë të ngrohtë. Kjo pasi ska dushe. Nëse doni të bëni dush, duhet ta bëni si dikur – duke i hedhur ujë vetes me kallaçe… Mos imagjinoni vaskë a hidromasazh… Por ka me shumicë ujë të ftohtë bjeshke, si ai që keni ëndërruar për të.
6. Nuk ka frigorifer sepse ska energji elektrike. Pijet ftohen vetëm me ujin e bjeshkës.
7. Nuk ka televizor, ndaj vështroni pa u kursyer natyrën e mrekullueshme atje, dhe personat me të cilët jeni aty.
8. Nuk ka tavolina, pjata a pajisje tjera siç mund të jenë në restorantet e qytetit. Nuk ka shërbim lluksi.
9. Nuk ka gatime restorantesh por vetëm tradicionale. Ndaj, nëse nuk të pëlqejnë ushqimet tradicionale – merre bukën me vete.
Mos kini kurrë pritshmëri për gjëra që janë të pamundura në bjeshkë. Flas për ushqimin dhe akomodimin.
10. Jini të komunikueshëm dhe mbi të gjitha të arsyeshëm me banorët dhe ato që ju shërbejnë atje. Ata vuajnë dhe lodhen tej mase shumë që ju të ndiheni sa më mirë.
11. Gjej çdo mënyrë që të paguash. Pavarësisht insistimit të mikpritësve tuaj, ato kanë nevojë për lek, ndaj dhe dalin në bjeshkë – të punojnë e fitojnë sadopak. Nëse pagesa është vërtet e pamundur, bëjuni dhe ju një dhuratë. Veç mos ikni kurrë pa paguar, sepse keni konsumuar buk me djersë dhe mundim të stërmadh atje.
12. Jeni realistë. Vlerësoni situatën reale në bjeshkë. Ju do ushqeheni e flini në kushte shumë më të mira se të zotët e stanit. Sepse nuk jeni thjeshtë turistë, por jeni shumë më shumë për malësorët; jeni miq atje.
13. Malësorët janë njëlloj kudo. Nuk kanë universitete por janë mjaft të zgjuar. Ja kanë dalë prej shekujsh e dekadash të mbijetojnë në zona të tilla ekstreme. Ndaj dëgjojini mirë dhe i respektoni. Ndonjëherë fjalët peshojnë më shumë se lekët që do paguani atje.
14. Mjedisi është i rëndësishëm në bjeshkë. Përveç vizitoreve, askush tjetër nuk ndot atje.
Nëse njihni ndonjë të afërm të pronarëve të stanit, e mira është të mos flisni për të. Kjo sepse i ven ata në siklet kur të vijë puna tek pagesa. Mund ta bëni pasi të keni bërë pagesën por e mira është fare.
Këto pra janë disa nga gjërat që duhet të dini nëse doni të vizitoni bjeshkët, të kaloni një natë a më shumë në stane të tilla. Pak a shumë kudo nëpër Shqipëri e njejta situatë paraqitet. Ndaj bëni plane të sakta që tja dilni me sukses.
Mos harroni!
Do kaloni nië pjesë kohe në një stan në mal. Jo në hotel apo resort turistik…
Malesorët ju japin shpirtin që ju të niheni sa më mirë. Vlerësojeni këtë!