Ka ardhur koha që kultivuesit e ullirit në Rroskovec, të kenë markën e zonës së tyre me një produkt të certifikuar sipas standarteve të tregut ndërkombëtar. Kështu është shprehur për mikrofonin e Fax Neës kryebashkiakia Majlinda Bufi, teksa i është bashkuar shqetësimit shumëvjecar të fermerëve të kësaj zone të njohur për prodhimin e kësaj kulture, mungesës së tregut të shitjes. Sipas saj, standartizimi dhe markimi i vajit të ullirit jo vetëm që do t’i jepte hov gjetjes së tregjeve për eksport, por do të frenonte njëherazi dhe shitjet informale. Kryebashkiakia Bufi ka pohuar gjithashtu se fermerët e kësaj zone me rreth 500 mijë rrënjë ullinj janë të parët në vend, të cilët i janë bashkuar iniciativës për bashkimin e ngastrave me ullinj dhe ky është një ogur i mirë për t’i hapur rrugën markimit të vajit të ullirit, një domosdoshmëri e kohës. Po sipas saj, viti i kaluar i cili pati mbiprodhim bëri që vaji i zonës të shitet me cmim të lirë dhe jo të favorshëm për fermerët, por kjo situate sipas saj duhet të marrë fund. Kjo është një kërkesë e gjithë kultivuesve të ullirit, ka thënë Bufi teksa ka theksuar se bashkia është në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Universitetin Bujqesor të Kamzës për realizimin e kësaj iniciative ndërsa në territorin e Kurjanit është krijuar dhe Shoqëria e parë e Bashkimit Bujqesor ku një grup fermerësh prej një viti po bejnë përpjekje me një studio për të hartuar gjithë projektin që është i nevojshëm për krijimin e një pike grumbullimi, për laboratorin përkatës, dhe sigurimin e paisjeve të ambalazhimit të produktit.