MONITOR/ Inflacioni bazë ra për të shtatin muaj radhazi në shtator dhe preku nivelin më të ulët që prej shkurtit të vitit të kaluar.
Sipas Bankës së Shqipërisë, inflacioni vjetor bazë në muajin shtator ishte 3.77%, duke zbritur poshtë kufirit të 4% për herë të parë në 19 muaj.
Megjithatë, rritja mujore e indeksit të inflacionit bazë rezultoi 0.34%, rritje kjo në nivele të përafërta me muajin gusht. Në dy muajt e fundit, rritja mujore e inflacionit bazë ka qenë më e larta që prej muajit prill të këtij viti. Kjo mund të sinjalizojë një cikël të ri të ringritjes të presioneve inflacioniste në ekonomi.
Inflacioni bazë është një tregues që llogaritet nga Banka e Shqipërisë mbi 69.2% të shportës së përgjithshme të Indeksit të Çmimeve të Konsumit. Ky tregues mat ndryshimin e çmimeve të konsumit, duke përjashtuar ato produkte që për nga natyra e tyre kanë luhatshmëri të lartë, kryesisht produktet ushqimore dhe ato energjetike.
Qëllimi i inflacionit bazë është ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga efektet e goditjeve të ofertës apo nga faktorë të tjerë me ndikim afatshkurtër.
Pas mbledhjes së fundit, në fillim të këtij muaji, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë konfirmoi parashikimet se inflacioni pritet të kthehet pranë objektivit prej 3% në mesin e vitit të ardhshëm. Megjithatë, ka analistë që mendojnë se inflacioni mund të mos jetë domosodshmërisht në rrugën e një rënieje të qëndrueshme.
Shqetësimi se inflacioni mund të marrë tipare rezistente, siç po ndodh në ekonomitë më të zhvilluara, u mbështet edhe nga një rikthim i rritjes së lehtë të inflacionit në muajin shtator. Sipas të dhënave nga INSTAT, inflacioni u rrit në 4.1%, i nxitur sidomos nga vijimësia e shtrenjtimit të produkteve ushqimore.
Leku i fortë ka amortizuar në një masë të konsiderueshme presionet e jashtme inflacioniste, por presionet nga ekonomia e brendshme dhe sidomos nga tregu i punës ngelen të larta.
Banka e Shqipërisë nënvizon se punësimi shënoi një rritje vjetore prej 2.7% në tremujorin e dytë të vitit ndërsa paga mesatare në sektorin privat u zgjerua me rreth 15%, duke rritur të ardhurat e familjeve shqiptare por duke mbajtur të larta edhe kostot e prodhimit dhe presionet e brendshme inflacioniste.
Aktualisht, Shqipëria ka një nga normat bazë më të ulëta në Europë, që nënkupton se kushtet monetare ngelen më të lirshme krahasuar me shumicën e ekonomive të tjera. Kjo ka mundësuar vijimin e rritjes së kreditimit të ekonomisë, por gjithashtu ka kontribuar edhe në frenimin e rritjes së raportit të kredive me probleme.
Politika monetare ende në territor stimlues është mbështetur në efektin balancues që ka dhënë mbi inflacion forcimi i lekut në kursin e këmbimit dhe politika tejet shtrënguese fiskale, e karakterizuar një suficit i lartë buxhetor gjatë nëntë muajve të parë të vitit./E.Shehu