Në vend që të rrisë sigurinë e saj energjetike, Shqipëria po shtyn ndërtimin e më shumë hidrocentraleve, duke çuar në humbjen e mijërave hektarwve tokw dhe në zhdukjen e mundshme të maces më të rrallë të Evropës. Korporata Financiare e Zhvillimit Ndërkombëtar të SHBA-së, agjencia e financimit të eksporteve në MB dhe banka HSBC ende nuk kanë konfirmuar ndonjë interes për financimin e Skavicës.
Projektet e hidrocentraleve Greenfield sjellin rreziqe serioze për njerëzit dhe natyrën, të cilat shumë shpesh peshojnë më shumë se përfitimet ekonomike. Në rastin më të keq, sipërfaqe të mëdha toke përmbyten, shumë njerëz duhet të braktisin atdheun e tyre, lumenjtë shndërrohen në rezervuarë artificialë, kafshët e egra zhduken dhe vendi mbetet me borxhe të shumta dhe një sistem energjie të cenueshëm nga klima.
Duke marrë parasysh të gjitha këto kritere, diga e planifikuar e Skavicës në Shqipëri është jashtëzakonisht e dëmshme. Megjithatë, sipas qeverisë shqiptare, Korporata Financiare e Zhvillimit Ndërkombëtar të SHBA-së (DFC) po mendon ta financojë atë, edhe pse projekti do të përfshihej në listën e projekteve kategorikisht të ndaluara të DFC-së. Në fund të vitit 2022 dhe në fillim të 2023, qeveria pohoi gjithashtu se agjencia e financimit të eksporteve në Mbretërinë e Bashkuar (UKEF) dhe banka HSBC do të jenë të interesuara për financimin e projektit. Asnjë nga këto institucione ende nuk e ka konfirmuar se po e shikon seriozisht projektin.Shqipëria mbështetet shumë në hidrocentralet, me 95 për qind të energjisë elektrike të prodhuar në vend të prodhuar në këtë mënyrë. Prodhimi vjetor i saj i energjisë elektrike ka vuajtur nga mungesa e ujit për shkak të ndryshimeve klimatike dhe do të përkeqësohet edhe më shumë, sipas Bankës Botërore. Shqipëria duhet të investojë në efiçencën e energjisë, impiantet e erës dhe diellore dhe rindërtimin e digave ekzistuese, në vend që të ndërtojë më shumë të njëjtat.
Lugina e Dibrës nën ujë
Projekti i hidrocentralit të Skavicës përfshin një digë të madhe të ndërtuar në një grykë të pacenuar me shkëmbinj të lartë pranë fshatit Skavicë të bashkisë Kukës. Ndikimet më të theksuara do të ishin në bashkinë Dibër. Rezervuari i madh do të ndikojë, sipas bashkisë, deri në 15,138 hektarë (58 milje katrorë) tokë, kryesisht tokë bujqësore dhe pyje, por edhe 41 fshatra. Me disa mijëra njerëz të zhvendosur, Skavica mund të ketë ndikimet më të këqija sociale nga çdo digë e ndërtuar në Evropë në shekullin e 21-të.
Në korrik 2021, në dukje pa asnjë procedurë tenderimi, u nënshkrua një kontratë paraprake mes KESH-it shtetëror dhe gjigantit amerikan të ndërtimit Bechtel për fazën e parë të projektit. Kjo kontratë përfshinte: kryerjen e hetimit teknik, ndërtimin e rrugëve hyrëse për ndërtim dhe kryerjen e një vlerësimi të ndikimit mjedisor dhe social (VNMS). Kësaj i ka paraprirë një ligj i posaçëm i miratuar në parlament (nr. 38/2021), me emrin e shoqërisë të përfshirë në ligj, duke eliminuar kështu prokurimin dhe konkurrencën e hapur, jo vetëm për fazën e parë, por edhe për fazën e ndërtimit. Tashmë, një ligj i ngjashëm i posaçëm për godinën e Teatrit Kombëtar është cilësuar si antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese shqiptare.
Bechtel ka fituar famë në Evropën Juglindore për përfshirjen e saj në disa projekte të pasuksesshme dhe/ose të shtrenjta, si në Kosovë, Rumani dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo ngre rrezikun e korrupsionit të mundshëm dhe dyshimet për vlerën për paratë e projektit, si dhe kuptimin e vlerësimit të ardhshëm të ndikimit në mjedis. Nëse marrëveshjet për projektin janë rregulluar tashmë me dyer të mbyllura, atëherë VNMS-ja është e detyruar të dalë me përgjigjen “e duhur”, pavarësisht nga gjetjet e saj aktuale.
Banorët vendas kanë organizuar shumë protesta në Shqipëri dhe SHBA kundër impiantit të planifikuar dhe vendimmarrjes. Në vitin 2020, policia gjobiti dy nga organizatorët e një proteste të tillë, “si një mënyrë”, pretendojnë ata, “që institucionet të trembin popullin që të mos reagojë ndaj vendimeve zyrtare”. Grupi në Facebook Opozita ndaj digës së Skavicës ka mbi 5000 ndjekës dhe një peticion është nënshkruar nga më shumë se 2000 persona. Përveç ndikimeve të pashmangshme negative në komunitetet lokale dhe shkeljes së të drejtave të tyre njerëzore, diga do të përmbyste gjithashtu fushat e përmbytjes, pyjet dhe kullotat përreth lumit ku shumë specie të kërcënuara në pjesën tjetër të Evropës janë të zakonshme.
Por një nga kafshët është veçanërisht e rrezikuar, në fakt është macja më e rrallë në Evropë. Rrëqebulli i Ballkanit (Lynx lynx balcanicus) ka më pak se 40 individë të mbetur në natyrë. Gryka e Drinit të Zi, e cila ka shkëmbinj të paarritshëm dhe pyje larg fshatrave, është e vetmja zonë ku rrëqebulli mund të kalojë midis Parkut Kombëtar të Mavrovës në Maqedoninë e Veriut dhe malit të Munellës në Shqipëri. Ndërtimi i digës do të izolonte dy popullatat e vetme të qëndrueshme dhe do t’i dënonte ato në zhdukje. Diga e Skavicës do të përmbyste gjithashtu pyllin më të gjerë të përmbytjeve në Shqipëri – pyllin përgjatë lumit Drin i Zi i përbërë nga alderi i zi (Alnus glutinosa), plepi i zi (Populus nigra) dhe shelgjet (Salix sp.). Është një habitat prioritar sipas Direktivës së BE-së për Habitatet. Ruajtja e këtij pylli është i nevojshëm për të ruajtur më shumë karbon në tokë, veçanërisht kritik në vendin me shkallën më të lartë të shpyllëzimit në Evropë (që çoi në vendosjen e ndalimit të prerjeve në 2015).
Është e habitshme që Shqipëria ende po e shtyn zhvillimin e hidrocentraleve. Hidrocentrali nuk do të zgjidhë krizën energjetike të vendit dhe do të rrezikojë jo vetëm natyrën dhe kafshët e egra, por edhe dibranët që do të detyrohen të lënë pas shtëpitë e tyre dhe tokat nga të cilat varen. Do të bëhet më e vështirë ndërtimi i hidrocentraleve të rinj në të ardhmen, për shkak të cenueshmërisë së klimës, biodiversitetit unik të rajonit dhe rezistencës publike. Nisur nga situata e mësipërme, presim që Korporata Ndërkombëtare Financiare e Zhvillimit të SHBA (DFC) të përmbahet nga financimi i hidrocentralit të Skavicës.