Gropa ‘misterioze’ në Linos, Tiranë!-ABDULLA DIKU
___
Këto janë disa gropa në livadhet e Linosit, poshtë lapidarit që janë krijuar së fundmi. Livadhet e Linosit kanë patur edhe më parë gropa të tilla, por këtë herë numri i tyre është më i madh.
Thellësia e gropave varjon nga 1-2 metra dhe përmasat e tyre (diametri) 2-4 metra. Numërohen 6-7 gropa të tilla në Linos, të cilat kanë prishur sheshtësinë dhe uniformitetin e livadhit atje.
Si janë krijuar?
Masivi shëmbor i zonës përbëhet nga shkëmbinj të tretshëm gëlqerorë. Tretja e tyre krijon hapsira boshe nëntokë dhe graviteti bën punën e vet pastaj. Toka zhytet poshtë dhe livadhi duket si në foto pastaj.
Kemi dhe një fjalë popullore që thotë ‘Uji gërryen dhe gurin’.
Punën e karstit e bën acidi karbonik (H2CO3) i cili krijohet prej reaksionit të bashkimit të ujit të reshjeve dhe dioksidit të karbonit. Acidi futet më tej në reaksion me gurin gëlqeror (CaCO3) dhe formon kështu bikarbonatin e kalciumit Ca(HCO3)2, një substancë e cila ekziston vetëm si tretësirë, pra një farë “shkëmbi i shkrirë”. Sigurisht që kjo ndodh në masë fare të vogël dhe kërkon shumë kohë në dispozicion që të ndodhë (qindra mijë a miliona vite).
Gropa të tilla karstike ka shumë në vendin tonë, ndërsa zona më e famshme është Dumreja. Të gjithë liqenet atje janë krijuar si rezultat i proçeseve karstike. Fenomeni në Dumre është veçanërisht më i theksuar pasi shkëmbi amnor atje përbëhet prej gipsesh të cilat treten shumë më lehtë dhe më shpejt se shkëmbinjt e tjerë.
Edhe gropat në Malin me gropa janë rezultat i proçeseve të karstit. Majde ato gropa aty janë shumë dobiprurëse pasi grumbullojnë ujin e reshjeve të shiut dhe borës dhe me to furnizojnë burimet e Selitës dhe Shëmrisë me ujë. Ndaj dhe Mali me gropa quhet ndryshe ‘Kulla ujore e Tiranës’.
Praktikisht, çdo mal me përbërje gëlqerorësh ka fenomene të tilla karsti.
Edhe shpellat krijohen si rezultat i proçeseve miliona vjeçare të karstit.
Kështu pra, gropat duken të mistershme kur i sheh por në fakt nuk janë të tilla aspak. Uji i reshjeve ka bashkëpunuar ngushtë me dioksidin e karbonit dhe gurin gëlqeror në Linos dhe ka ‘dhuruar’ për ne këto gropa.