Ambjentalisti I njohur Abdulla Diku suprizon me udhëtimet e tij në gjithë Shqipërinë. Pena e tij e artë sjell pamje magjepëse nga vende të ndryshme. Këtë herë në penelin e shqiptarit të mirë “vizatohet” Kuçi i Vlorës.
Abdulla Diku
E kush nuk ka dëgjuar për Kuçin e Vlorës?!
Por për ta parë atë shumë pak persona, besoj.
“Kuç” ka dhe në Berat, Tiranë, Shkodër, Lushnjë, e Skrapar, por më i famshmi padyshim është ai i Vlorës.
Kuçi i Vlorës është një nga fshatrat më të njohura të Labërisë. Ai është fshati më i madh i krahinës së Kurveleshit të poshtëm, si nga sipërfaqja ashtu dhe nga popullsia.
Kuçi shtrihet në anën jugperëndimore të krahinës së Kurveleshit. Bashkë me fshatrat Bolenë, Kallarat, Çorraj dhe Fterrë bëjnë pjesë në Kurveleshin e Poshtëm.
Në Kuç fillon rrjedhën e tijë Shushica (lumi i Vlorës).
Kuçi është 620 m mbi nivelin e detit, dhe 62 km larg Vlorës.
Nga Kuçi zbritet për në Vlorë duke përshkruar fshatrat Kallarat 11 km, Vranisht 15 km, Tërbaç 24 km, Brataj 30 km, Lepenicë 35 km, Gjorm 40 km, Kotë 47 km, Drashovicë 53 km, Shashicë 60 km etj.
Mënyra më e mirë për të vizituar luginën e lumit të Vlorës është duke lëvizur me makinë nga Nivica (Tepelenë) në Kuç dhe më pas drejt Vlorës.
Pasuritë më të mëdha ujore janë burimet e Lëpushës me 550 l/s, dhe buronjat e Kuçit me 300 l/s ; një nga burimet më të mëdha karstike të Shqipërisë jugore. Ato dalin në grykë të Shurit në Lëpushë, duke përshkruar 4 km kanionin mahnitës deri sa vjen në Buronja te Rrapet e Kuçit ku ndodhet një korije e mrekullueshme, e mbuluar me rrepe shekullore (tashmë të thara), që në verë krijojnë një mjedis të freskët e me bukuri mahnitëse.
Buronjat e Kuçit shkarkojnë ujërat nëntokësore që grumbullohen në masivin karstik të Kurveleshit të Sipërm, i cili gjendet rreth 600 m më lartë se vendi ku dalin Buronjat. Buronjat përfaqësojnë një objekt me rëndësi turistike për gjithë rajonin. Këtu organizohen herë pas here shëtitje turistike, piknikë dhe festa të ndryshme. Por natyra e virgjër e Buronjave është dëmtuar shumë nga ndërhyrjet e këqia të njeriut duke marrë ujin pa kriter me anë ndërtimesh të vrazhda.
Në pjesën e sipërme të fshatit vërehen habitate shumë të vecanta pyjore ku në të njëjtën zonë gjen njëkohësisht edhe shkurre mesdhetare, por edhe pyje me bredh.
Rruga është asfalt dhe shumë panoramike…