Shqipëria është ndër vendet me përqindjen më të lartë të popullsisë në rrezik të varfërisë në Evropë, por ka edhe pabarazi të konsiderueshme midis popullsisë në rrezik të varfërisë bazuar në vendbanimin rural-urban.
Të dhënat tregojnë se gati 60% e popullsisë që jetonte në zonat rurale ishte në rrezik të varfërisë në vitin 2021 (të dhënat për Shqipërinë 2020), që ishte niveli më i lartë në Evropë.
Popullsia rurale në vend ka një rrezik të lartë varfërie në krahasim me popullsinë rurale të vendeve të tjera. Rumania renditet e dyta për sa i përket niveleve të larta të varfërisë rurale, me rreth 50% të popullsisë rurale, 10 pikë përqindjeje më e lartë se Shqipëria. Eurostat thekson se Shqipëria ka një nivel të lartë popullsie në rrezik të varfërisë në qytetet kryesore, përfshirë kryeqytetin. Në Shqipëri, gati 45% e popullsisë në këto zona është në rrezik të varfërisë, niveli më i lartë në Evropë. Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Rumania pasojnë Shqipërinë, ku popullsia urbane në rrezik të varfërisë është 30%.
E njëjta situatë vlen edhe për qytetet më të vogla. Në qytetet më të vogla shqiptare, varfëria është më e butë krahasuar me qytetet e mëdha dhe zonat rurale. Eurostat llogarit se rreziku i varfërisë në qytetet më të vogla përfshin 29% të popullsisë.
Ky tregues është më i ulët se në zonat rurale dhe qytetet e mëdha, por ende më i lartë se në qytetet e tjera evropiane. Gjithashtu, hendeku i varfërisë urban-rural është më i lartë në Shqipëri krahasuar me vendet e tjera evropiane.
Në fillim të këtij viti, Banka Botërore analizoi se Reforma Territoriale përkeqësoi ndjeshëm menaxhimin e zonave rurale dhe shtroi sfida të reja për zhvillimin e tyre.
Mungesa e ofrimit të shërbimeve në zonat rurale nga njësitë vendore të sapokrijuara si rezultat i reformës territoriale ka kontribuar në krijimin e pabarazive. Ndërsa zonat urbane përfitojnë nga mbulimi relativisht më i lartë i shërbimeve publike, cilësia është e dobët, duke çuar në kosto të mëtejshme sociale dhe mjedisore.
Ndotja, mbipopullimi dhe planifikimi i dobët përkeqësojnë më tej cilësinë e jetës në zonat urbane. Mangësitë në menaxhimin e mbetjeve të ngurta dhe ujërave të zeza kufizojnë aksesin në shërbimet e duhura të menaxhimit të mbetjeve dhe ujë me cilësi të mirë për popullatën.