Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor në bashkëpunim me Doganën Shqiptare, do të ndihmojnë bujqit dhe fermerët për formalizimin e mjeteve bujqësore që janë përfituar nga koha e eksodit kosovar në Shqipëri, të blera rregullisht por në kushtet kur të ardhurit nga Kosova, e cila ndodhej nën genocid e luftë spastrimi etnik, nuk kishin mundur të kryenin transaksione e kalime zyrtare pronësie. Qindra mjete bujqësore, rimorkio e agregat, deri sot të paregjistruara, po kryejnë targimin me procedura të lehtësuara, vetëdeklarim e kontroll fizik aty ku jetojnë e punojnë, duke ua kursyer kilometrat e kostot drejt rajonales së shërbimeve të transportit rrugor. “Sot ky problem i mbartur, që pengonte prej vitesh poseduesit e përdoruesit e këtyre mjeteve, aq të nevojshme në punë fshati e transport prodhimi bujqësor, duke krijuar rrezik në qarkullim e mosnjohje shpenzimesh, pasiguri e vështirësi për ekonominë e tokës, konsiderohet i zgjidhur”, bëri të ditur DPSHTRR. DPSHTRR thekson se fermerët do të bëjnë kërkesën për regjistrim të mjeteve në zyrën e bujqësisë pranë njësive administrative dhe rastet do të ndiqen nga DRSHTRR-ja e qarkut.