Abdulla Diku
Moto e kësaj dite të shënuar për këtë vit është “Pyjet dhe shëndeti”. E thënë më mirë – ‘Pyje të shëndetshme për njerëz të shëndetshëm’.
Kur pimë një gotë ujë, shkruajmë në fletore, marrim ilaçe për temperaturën ose ndërtojmë një shtëpi, jo gjithmonë e bëjmë lidhjen me pyjet. E megjithatë, këto dhe shumë aspekte të tjera të jetës sonë janë të lidhura me pyjet në një mënyrë ose në një tjetër.
Menaxhimi dhe përdorimi i qëndrueshëm i burimeve pyjore janë mjeti kryesor për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për të kontribuar në prosperitetin dhe mirëqenien e brezave aktualë dhe të ardhshëm. Pyjet gjithashtu luajnë një rol vendimtar në zbutjen e varfërisë dhe në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara. Megjithatë, pavarësisht nga të gjitha këto përfitime të paçmueshme ekologjike, ekonomike, sociale dhe shëndetësore, pyjet janë të rrezikuara gjithnjë e më shumë nga zjarret, dëmtuesit, thatësirat dhe shpyllëzimi.
Pra pyjet na japin shumë për shëndetin tonë. Ata pastrojnë ujin, pastrojnë ajrin, japin oksigjenin dhe kapin karbonin nga atmosfera duke zbutur efektin e ndryshimeve klimatike, ofrojnë ushqim dhe ilaçe që shpëtojnë jetën dhe përmirësojnë mirëqenien tonë.
Varet nga ne që të mbrojmë këto burime të çmuara natyrore.
Ky vit kërkon të japësh, jo vetëm të marrësh, sepse sa më të shëndetshme të jenë ekosistemet pyjore, aq më të shëndetshëm do jenë edhe njerëzit.
Pyjet pra, ofrojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi, përfitime të rëndësishme shëndetësore për të gjithë njerëzit. Dhe bëhet fjalë jo vetëm ata, jeta e të cilëve është e ndërthurur ngushtë me ekosistemet pyjore, por edhe njerëzit larg pyjeve, përfshirë popullsinë urbane.
Njohja e rëndësisë së pyjeve për sigurinë ushqimore dhe të ushqyerit është rritur ndjeshëm vitet e fundit, por roli i tyre në shëndetin e njeriut ka marrë më pak vëmendje. Ushqyerja dhe shëndeti janë të lidhura thelbësisht: Ushqimi i mirë nuk mund të arrihet pa shëndet të mirë dhe anasjelltas. Prandaj, kur trajtohen lidhjet me pyjet, është thelbësore të trajtohet shëndeti dhe ushqimi në të njëjtën kohë.
Megjithatë, pyjet ofrojnë gjithashtu një gamë të gjerë përfitimesh për shëndetin dhe mirëqenien e njeriut përtej atyre që përgjithësisht lidhen me sigurinë ushqimore dhe ushqimin.
Ekzistojnë lidhje të shumta të pyjeve dhe shëndetit të njeriut dhe ka ende shumë hapsirë për krijimin e një mjedisi të favorshëm në të cilin njerëzit mund të përfitojnë prej tyre. Lidhja e politikave zhvilluese dhe ndërveprimet – nga pylltaria te siguria ushqimore, nga ushqimi dhe shëndeti tek përdorimi i tokës dhe planifikimi urban – shpresohet se politikbërësit do të nxisin më tej interesin për zgjerimin e bashkëpunimit ndërsektorial, për të zhbllokuar potencialin e plotë të kontributeve të pyjeve për një mirëqenie më të madhe njerëzore.
Ruajtja dhe përdorimi i qëndrueshëm i pyjeve është një nga mënyrat më të mira për të mbrojtur planetin dhe veten tonë. Pyjet e shëndetshme janë jetike për të gjitha aspektet e një planeti të shëndetshëm, nga mënyra e jetesës dhe ushqimi te biodiversiteti dhe mjedisi, por aktualisht ato janë nën kërcënim të madh. Varet nga ne që të mbrojmë këto burime të çmuara dhe të pazëvendësueshme natyrore.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 21 Marsin Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve në 2012 për të festuar dhe rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e të gjitha llojeve të pyjeve. Vendet inkurajohen të ndërmarrin përpjekje lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare për të organizuar aktivitete që synojnë shtimin e sipërfaqeve pyjore dhe menaxhimin e qëndrueshëm të tyre.
Disa kuriozitete;
Numri i përgjithshëm i specieve bimore të përdorura për qëllime mjekësore mund të jetë deri në 50,000.
Disa studime vërtetuan se një shëtitje në një mjedis pyjor ul presionin e gjakut dhe rrahjet e pulsit dhe ul nivelin e kortizolit.
Bota po humbet 10 milionë hektarë pyje çdo vit për shkak të shpyllëzimit – sa madhësia e Islandës.
Vetëm insektet dëmtojnë rreth 35 milionë hektarë pyje në vit.
Një studim nga 43 000 familje në 27 vende në Afrikë zbuloi se diversiteti dietik i fëmijëve të ekspozuar në pyje ishte të paktën 25% më i lartë se ai i fëmijëve që nuk ishin.