Qeveria shqiptare nëpërmjet skemave mbështetëse për bujqësinë synon të mbështesë fermerët dhe produktet vendase, për t’u tregtuar me çmime më konkurruese në tregjet rajonale dhe më gjerë.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj solli sot në vëmendje rastin e një tjetër fermereje, e cila ka rritur ndjeshëm sipërfaqen e mbjellë edhe falë skemave mbështetëse të bujqësisë.
“Embliona Saliu nga fshati Portëz, Fier kultivon perime sipas stinës. Serra e saj e pajisur me teknikat e reja të kultivimit dhe sistemin e specializuar të ngrohjes dhe ujitjes, siguron prodhim gjatë gjithë vitit, ka rritur ndjeshëm sipërfaqen e mbjellë dhe cilësinë e produkteve të ofruara në treg”, u shpreh Denaj.
Vetëm nga skema e mbështetjes së subvencionimit të karburanteve përfitojnë me mijëra sipërmarrje në fushën e bujqësisë, të cilët tashmë janë të regjistruar dhe kanë një NIPT. Kjo pritet të ndikojë pozitivisht edhe në formalizimin e fermerëve.