Sot nisi edicioni i katërt i Panairit Ndërkombëtar të Bujqësisë, Blegtorisë dhe Kopshtarisë 2023, nga Expocity Albania.
Në “Agrotech Expo 2023” janë mbledhur kompani nga vende të ndryshme si Kosova, Greqia, Spanja, Serbia, Holanda dhe Gjermania, të cilat gjithnjë e më shumë presin bashkëpunim për të operuar në tregun shqiptar.
Panairi do të qëndrojë i hapur nga data 18 deri më 20 tetor.
Panairi bëri bashkë aktorët më të rëndësishëm të sektorëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë.
Qëllimi kryesor i këtij panairi është krijimi i mundësive për bashkëpunime biznesi për çdo fermer dhe të interesuarit e sektorit.
Presidenti i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj, u shpreh se duhen modele të suksesshme tregu për sektorin e bujqësisë. Ai u bëri thirrje bizneseve dhe fermerëve t’u bashkohen panairit, ku në ditën e tretë do të zhvillohen bashkëbisedime mes aktorëve të sektorit.
“Do të ftojmë më shumë se 20 institucione për të folur për një model sa më të suksesshëm tregu, kryesisht për vajin e ullirit, një nga kulturat më të rëndësishme në bujqësinë e vendit”, tha ai.
Andi Seferi, zëvendëskryetari i Bashkisë së Tiranës deklaroi se sektori po ecën në ritme shumë të mira, pavarësisht vështirësive. “‘Expocity’ me panairin ‘AgroTech’ bashkon të gjithë aktorët e sektorit në mënyrë që të rritet bashkëpunimi midis tyre.
Jam me zemrën plot kur shoh ecurinë e kompanive dhe që gjithnjë e më shumë, gjërat po ecin më mirë për to. Por ka edhe vështirësi dhe jemi ne institucionet, që duhet të projektojmë politika në funksion të rritjet për bujqësinë”, tha ai.
Zëvendëskryetari i Bashkisë, z. Seferi gjithashtu deklaroi se edicioni i ardhshëm i “Agrotech” do të zhvillohet në ambientet e “AgroPark Tirana”, i ndërtuar posaçërisht për fermerët.
Enio Civici, zëvendësministër i Bujqësisë, u shpreh se janë disa çështje kryesore që e përcaktojnë gjithnjë e më mirë suksesin e panairit, ku cilësia e produkteve që prezantohet në këtë panair është e barabartë me atë të produkteve ndërkombëtare, apo dhe fakti që teknologjia dhe inovacioni janë të përfshirë gjithnjë e më shumë në këtë sektor, duke ndihmuar në cilësinë e produktit.
Nga ana tjetër, është i nevojshëm kontakti me palët ndërkombëtare, në mënyrë që të konkurrojmë denjësisht me produkte me cilësi të barabartë me ato të Bashkimit Europian.
Në fjalën e hapjes, drejtoresha ekzekutive e “Expocity Albania”, Aulona Hoxha u shpreh se ashtu si në çdo vend tjetër europian, Tiranës i duhet rrënjosur kultura e panaireve.
Gjatë panairit pritet të zhvillohet dhe konferenca e vajit të ullirit, pasi është konstatuar potenciali i madh që ka ky sektor, për shkak të kërkesës së lartë. Kjo do të ndihmojë në rritjen e të ardhurave të fermerëve.
Disa nga partnerët kryesorë të panairit u shprehën se bashkëpunimet midis bizneseve janë thelbësore për këtë sektor, prandaj në fokus kryesor për ta është edhe bashkëpunimi me kompanitë e huaja.
Një tjetër faktor kryesor për zhvillimin e sektorit është edhe incovacioni në teknologji dhe përdorimi i makinerive që sjellin efikasitet në prodhim.