SCAN,TV
“Scan Intel” vazhdon me ciklin e analizave mbi tregje të caktuara në vend, për të kuptuar se çfarë peshe kanë në ekonomi, sa të ardhura gjenerojnë, sa janë fitimet, si dhe perspektivën e bizneseve që veprojnë në atë treg të caktuar. Analizën do ta vijojmë duke i`u rikthyer ecurisë së sektorit të përpunimit të mishit në vend për vitin 2021.
Le të shohim si ka qënë ecuria e këtij tregu referuar të dhënave financiare të depozituara pranë QKB-së, nga 20 kompanitë më të mëdha të fushës së përpunimit të mishit, sipas të ardhurave. Nga analiza rezulton se fitimet në total përgjatë vitit 2021, ishin në vlerën 13.3 mld lekë ose rreth 117.5 mln euro. Krahasuar më analizën e të dhënave të vitit 2020, shohim që tregu ka pësuar një rritje në vlerë absolute me rreth 1.6 mld lekë ose me 14%.
Ashtu si me të ardhurat, edhe fitimet neto të kësaj industrie gjatë një viti janë rritur. Në total, të 20 kompanitë e marra në analizë kanë raportuar gjatë 2021-shit rreth 1.17 miliardë lekë fitime neto, ose 10.3 milionë euro. Mesatarja e fitimit neto të të 20 kompanive ndërkohë fiksohet në rreth 519 mijë euro nga 380 mijë euro që llogaritej në vitin 2020. Përgjatë vitit 2021 fitimi neto i 20 kompanive të marra në konsideratë është rritur me 29%, krahasuar me vlerat e vitit 2020. Sa i përket përqindjes marxhinale të fitimit, analiza e bilanceve të këtyre kompanive tregon se kjo normë ngjitet deri në 14%, në rastin e kompanisë në krye të klasifikimit.
Nga analiza e të dhënave të pasqyrave financiare për vitin 2021, vihet re që renditja e kompanive sipas të ardhurave (xhiros vjetore) është pothuajse e njëjtë, me vetëm disa ndryshime të vogla. Vendi i parë dhe i dyti mbeten të pandryshuara, ku “E.H.W” është kompania me nivelin më të lartë të të ardhurave. Rreth 6.7 mld lekë rezulton të jetë xhiro vjetore për këtë subjekt gjatë 2021-shit, duke e pozicionuar në vend të parë, ndër 20 të tilla që janë marrë në studim. “KMY” është në vend të dytë, të ardhurat e të cilës për vitin 2021 llogariten në 2.8 mld lekë, duke e renditur atë të dytën në listën e 20 kompanive të specializuara në përpunimin e mishit me të ardhurat më të larta vjetore. Dy kompanitë e para, pra “E.H.W” dhe “KMY” kontrollojnë 71% të këtij tregu në vendin tonë.
Përgjatë vitit 2021 është bërë një shkëmbim mes vendit të tretë dhe të katërt, kompania “TONA” ka kaluar në vendin e tretë dhe “HAKO” ka zbritur në vendin e katërt. “FIX PRO” është kompania e fundit që plotëson renditjen e 5 vendeve të para. Xhiroja vjetore për secilën nga këto kompani është përkatësisht 826 mln lekë të ardhura për “TONA”, 740 mln lekë të ardhura për “HAKO” dhe 554 mln lekë për “FIX PRO”.
Krahasuar me vitin 2020, shohim që rritjen më të madhe në xhiron vjetore e ka pësuar kompania I.N.C.A, me rreth 84% rritje ose e shprehur në vlerë absolute ka pësuar një rritje të aktivitetit me 128 milionë lekë. Ndiqet nga kompania “TONA” me 28% rritje dhe “FIX PRO” me 26%. Nga ana tjetër vetëm dy kompani kanë pësuar një rënie të xhiros vjetore nga viti 2020 në vitin 2021, përkatësisht kompania “Erda” ka pësuar një rënie me 34% si dhe “HAKO”, me vetëm 1%.
Sa i përket fitimit neto, është po “E.H.W” kompania që mban vendin e parë. Rreth 905 mln lekë llogaritet fitimi neto për këtë kompani në 2021-shin. “HAKO” renditet në vend të dytë, me 73 mln lekë, i ndjekur nga “TONA”, me 58 mln lekë. Në vend të katërt ndjek “FIX PRO” me 39 mln lekë. Ndërkohë, sa i përket fitimeve, “KMY” ka zbritur në vend të 5-të, me vetëm 38 mln lekë.
Përgjatë vitit 2021 fitimi neto i 20 kompanive të marra në konsideratë është rritur me 29%, krahasuar me vlerat e vitit 2020. Rritjen më të madhe nga njëri vit në tjetrin duket se e ka pasur kompania “I.N.C.A” e cila ka pësuar një rritje me 192%, dhe ndiqet nga “Arani” me 82%, “TONA” me 51%, “E.H.W” me 38%. “I.N.C.A” duket të jetë kompania me rritjen më të madhe në treg, pasi konfirmohet e para si në terma të ardhurash ashtu edhe fitimi neto, sa i përket ndryshimit vjetor. Nga ana tjetër janë katër kompani që kanë pësuar rënie të fitimit të tyre neto, “Erda” ka pësuar rënie me 27%, “Hako” me 21%, “Sauli” me 14% rënie dhe “Kazazi” me 9% rënie krahasuar me vitin 2020.
Nëse do t`i referohemi industrisë së mishit dhe nënprodukteve të tij në total, për periudhën 2017-2021, të ardhurat gjithëpërfshirëse për 20 kompanitë e marra në shqyrtim, kapin vlerat e 13.3 mld lekëve për 2021, 11,7 mld lekëve për 2020-tën, 11,72 mld lekë për vitin 2019, 11,09 mld lekë për vitin 2018 dhe 10,5 mld lekë për vitin 2017, çka sinjalizon se është një industri e qëndrueshme, dhe me rritje progresive nga viti në vit. Bazuar serish mbi të dhënat e deklaruara në pasqyrat financiare të këtyre subjekteve pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, për periudhën 2017-2021, të ardhurat neto të industrisë arrijnë vlerat 1.17 mld lekë, 900 mln lekë, 755 mln lekë, 698 mln lekë dhe 582 mln lekë respektivisht për vitet 2021, 2020, 2019, 2018, 2017.
Nese do të bejmë një raport të fitimit neto ndaj të ardhurave gjithëpërfshirëse, rezulton se përqindja marxhinale e fitimit të industrisë është 9% për vitin 2021, 8% për vitin 2020, ndjekur nga 6% për tre vitet paraardhëse 2019, 2018, 2017.
Duhet theksuar se këto kompani jo domosdoshmërisht prodhojnë dhe tregtojnë vetëm nënprodukte të mishit, por edhe produkte të tjera, përfshirë edhe mishin në vetvete. Gjithsesi, nënproduktet e mishit përbëjnë shtyllën kryesore të biznesit të tyre, dhe këto shifra japin një panoramë të përafërt të peshës së këtij sektori në vendin tonë.