Task Forca e Autoritetit Kombëtar tëUshqimit gjatë kontrollit të ushtruar në një market ushqimor me pronar E.S konstatoi sasi të konsiderueshme të produkteve industriale dhe ushqimore nga të cilat një pjesë e tyre kishin kaluar afatin e përdorimit, me ndryshim dhe ndërhyrje të duksheme të stampave në datën e skadencës. Produktet të cilat përfshijnë pije alkoolike dhe energjike, mallra me mbishkrime në gjuhën greke, pa pullë fiskale apo faturë tatimore blerjeje për të vërtetuar origjinën e tyre, produkte bulmeti dhe shtazore të cilat kishin tejkaluar afatin e skadencës, si dhe mallra të ndaluara për tregtimin nga subjekte të papajisura me licencën përkatëse.Për gjetjet në kundërshtim me ligjin dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë, Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, Qarkut Korçë është bërë arrestimi i subjektit E.S si i dyshuar për disa veprat penale:”Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, “Kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Kontrabandë me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Falsifikimi i vulave stampave ose formularëve”.