Fermerët e fshatit Gjyralë në Bashkinë e Cërrikut i janë rikthyer kultivimit të kulturës së duhanit. Dikur gati i gjithë fshati merrej me kultivimin e kulturës industriale, por mungesa e tregut dhe mos shlyerja e pagesave nga firma greke që e blinte duhanin bëri që fermerët të hiqnin dorë. Sakaq tanimë duket se interesi për këtë kulturë është rikthyer pasi një firmë turke u ka premtuar fermerëve se do t’ua tërheq mallin. Por stina e lagësht nuk i ka favorizuar shumë të mbjellat, duke bërë që të shfaqet sëmundja e vrukut. Me pompë në shpinë fermerët janë duke e spërkatur.Gjithashtu fermerët ankohen për cmimet e larta të plehrave , pesticideve, por dhe për mungesën e fuqisë punëtore. Tanimë në fshat kanë mbetur vetëm të moshuarit.Fenomeni i emigracionit është i pranishëm në cdo skaj të vendit. Largimi i të rinjve dhe moshës vitale ka bërë që bujqësia dhe blektoria të lëngojnë. Në këto kushte vetë banorët gjykojnë se do të duhej të gjindeshin mekanizmat e duhura për të rikthyer vëmendjen te toka.