PPNEA-Gjatë ekspeditave të realizuara në fillim të vitit 2023 në Parkun Natyror “Munellë”, në kuadër të Programit për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit, janë hasur vazhdimisht raste të aktiviteteve të ndryshme mjedisore, duke filluar nga prerja e paligjshme e pyjeve, gjuetia e paligjshme, tjetërsimi i habitatit si pasojë e ndërtimit të HEC-ve etj. Aktivitete mjedisore të paligjshme të cilat dëmtojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë biodiversitetin dhe llojin emblematik të rajonit Pukë-Mirditë, rrëqebullin e Ballkanit. Ka kaluar më shumë se një vit nga shpallja e “Munellës” si zonë e mbrojtur, Park Natyror (kategoria IV e zonave të mbrojtura) me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 60, datë 26.1.2022, por dukshëm vihet re se ky vendim kaq i rëndësishëm mbetet vetëm në letër dhe nuk ka ende ndryshim. Statusi si zonë e mbrojtur për këtë zone është e një rëndësie të veçantë, jo vetëm për biodiversitetin e pasur e të egër por edhe për sigurimin e benefiteve të tjera mjedisore, si shërbimet e ekosistemit por edhe për potencialin e zhvillimit të qëndrueshëm. Mirëmenaxhimi është mekanizmi më efektiv për ruajtjen dhe mbrojtjen e natyrës, zhvillimin e qëndrueshëm si dhe mirëmbajtjen e shërbimeve të ekosistemit. Por kjo gjithashtu është edhe një prej sfidave kryesore që po përballen institucionet qendrore e vendore, pasi kërkon kapacitete, angazhim, vullnet dhe përgjegjësi të shtuar. Në këtë linjë, hartimi i planit të menaxhimit është thelbësor për garantimin dhe mbrojtjen e vlerave natyrore, historike e kulturore dhe një ndër hapat që institucionet përkatëse duhet të ndërmarrin. Shpallja e Parkut Natyror “Munellë” është fryt i një punë disa vjeçare të institucioneve, organizatës PPNEA dhe banorëve vendas, me një vizion të qartë për rimëkëmbjen e rrëqebullit dhe habitatin e tij.