Përroi i Zaranikës vijon të jetë shqetësim për qytetarët e Elbasanit, si në kohë më reshje, por edhe në kohë thatësire. Ndërhyrjet e fundit janë dëmtuar sërish, duke krijuar kështu zgavra të mëdha përgjatë këtij përroi. Një shqetësim ky që ngrihet nga komuniteti i banorëve ku kalon ky përrua.
Ndërhyrja e fundit në rehabilitimin e Përroit të Zaranikës ishte jo më larg sesa tetori i vitit 2020. Investimi i pjesshëm i kushtoi rreth 180 milionë lekë buxhetit të shtetit për rehabilitimin e 21 segmenteve të këtij përroi. Por dy vite e gjysëm nga ky investim argjiratura mbrojtëse prej blloqe betoni është dëmtuar sërish. Në disa vende janë krijuar zgavra të mëdha të cilat kanë krijuar shqetësim dhe frikë te komuniteti pranë.
Pandeli Tarusha ka banesën e tij shumë pranë njërës nga zgavrat e krijuara. Ai kërkon vëmendjen e organeve kompetente të ndërhyjnë pasi vecanërisht fëmijët janë të rriskuar pasi ndodh shpesh që gjatë rritjes së temperaturave ata freskohen në ujërat e përroit duke rrezikuar mbytjen.
Ndërsa i bashkohen shqetësimit për rrezikun që mbart përroi i Zaranikës në rast reshjesh , banorët gjykojnë se vetëm një investim serioz do t’i jepte zgjidhje problemit , pasi kanë jo pak kritika për cilësinë e punimeve që kryhen në Shqipëri.
Përroi i Zaranikës ka një shtrirje prej 5.1 km dhe dalja e tij nga shtrati, apo më keq akoma shkatërrimi i argjinaturës, përbën gjithmonë rrezik për përmbytje. Vetëm një ndërhyrje totale në të gjithë gjatësinë e tij deri në derdhjen në lumin Shkumbin do të ishte zgjidhje përfundimtare e problemit.