Kafshë të ngordhura hidhen nga persona të papërgjegjshëm që nuk i marrin parasysh pasojat që shkaktohen nga ndotja që bëjnë. Mbi fshatin Vojnik të Njësisë Administrative Maqellarë në Bashkinë Dibër ndodhet ky rezervuar. Ai dikur ka shërbyer për të vaditur tokat bujqësore, por prej shumë vitesh është totalisht jashtë funksionit. Por si të mos mjaftonte kjo, rezervuari është kthyer në një burim infeksioni për dhjetëra banorë që jetojnë aty rrotull. Rezervuari ndodhet vetëm pak metra larg shkollës së fshatit, ku çdo ditë kalojnë nxënësit që arsimohen aty pranë. Po ashtu, një pjesë e ujërave të ndotura të Maqellarës përfundojnë në këtë rezervuar, ku për momentin është kthyer si moçal. Kafshë të ngordhura hidhen nga persona të papërgjegjshëm që nuk i marrin parasysh pasojat që shkaktohen nga ndotja që bëjnë. Një tjetër problem i banorëve që jetojnë aty pranë është edhe prania e madhe e bretkosave në rezervuar dhe që shkaktojnë një ndotje të madhe akustike me zhurmën që lëshojnë ditë e natë. Vazhdimisht banorët e Vojnikut kanë kërkuar rehabilitimin e këtij rezervuari që jo vetëm të largohet ndotja, por të rikthehet në shërbim të tyre për vaditje.