Kushtet klimatike të gjysmës së dytë të muajit Mars , por dhe këto të gjysmës së parë të muajit Prill , me temperature relativisht të ulëta dhe reshje të herëpasherëshme, duket që do të ndikojnë në sezonin e mbjelljes së misrit duke e shtyrë atë për më vonë, sipas zonave agroekologjike. Duke parë interesin në rritje për këtë kulturë, ka mjaft për të bërë në aspektin e shmangies së gabimeve në mënyrë që mbjelljet të jenë të sukseshme.
- Për këtë periudhe para mbjelljeve, theksi duhet të vihet në sigurimin dhe mbajtjen në efiçencë të sistemit kullues të brendshëm dhe të jashtëm për parcelat e planifikuara për t’u mbjellë me misër. Përmes kësaj mase agroteknike mundësohet:
- Reduktimi i dëmit nga dëmtuesit e tokës e veçanërisht i krimbit lineatum) , i cili vitet e fundit është bërë gjithnjë e më i pranishëm në ngastrat e mbjella me misër, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Ky dëmtues sulmon bimëzat e reja, të sapombira duke ulur numrin e bimëve për njësi të sipërfaqes e për rrjedhojë edhe të prodhimit të pritshëm. Vitet e fundit, gjithnjë e më të shpeshta janë rastet kur fermerë të ndryshëm janë detyruar të rimbjellin ngastrat e tyre me misër për shkak të dëmeve serioze nga ky dëmtues. Minimizimi apo edhe mënjanimi i dëmtimit nga ky dëmtues mund të sigurohet përmes:
– efiçencës së sistemit të kullimit të ngastrës pasi prish kushtet për mbijetesë të këtij dëmtuesi në shtresën e sipërme të tokes ku do të vendoset fara, duke e shtyrë atë më në thellësi.
– përdorimit të preparateve të posaçme për luftimin e dëmtuesve të tokës. Këto preparate shpërndahen gjatë punimeve përgatitore apo edhe njëherazi në mbjellje në mënyrë të lokalizuar dhe me makina të specializuara.
– shtyrjes së afatit të mbjelljes përtej fazes kur dëmtuesi është aktiv. Lehtësi në punimet përgatitore në pranverë dhe hershmëri në mbjellje.
- Në Ultërsirën Perëndimore, për tokat e zëna me kultura të dyta si bazë ushqimore e njomë për blegtorinë dhe që planifikohen për t’u mbjellë me misër, të intensifikohen shërbimet (plehërimet plotësuese) për të arritur marrjen e prodhimit dhe lirimin e parcelave në kohë të përshtatshme për mbjellje me misër.
- Fermerët nëpërmjet njësive të Shërbimit Këshillimor (SEB-ve) të fillojnë konsultimet mbi përzgjedhjen e hibrideve më të mirë dhe të përshtatshëm për zonën dhe kushtet e kultivimit sipas destinacionit të konsumit (kokërr apo silazh).
Dr Arzen Rexha
Marre nga ARGOBIZNESI